Ballina Opinion Mesazhet rozë të një shteti të nxirë

Mesazhet rozë të një shteti të nxirë

43
0

Në Shqipëri, kur një skandal bëhet shumë i rëndë për t’u mbajtur në këmbë, ka gjithmonë një mënyrë për ta zbutur: kthehet në histori rozë ku romanca dhe seksi sjnderrohen ne kryefjale te problemit real.

Kështu po tentohet të ndodhë edhe me komunikimet mes Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit. Një pjesë e medias është hedhur me zell mbi mesazhet, tonin, batutat, nënkuptimet, duke u përpjekur ta kthejë një çështje sigurie kombëtare në një episod thashethemesh. Sikur problemi i madh i kësaj historie të ishte marrëdhënia personale mes dy njerëzve dhe jo fakti që një personazh si Ergys Agasi kishte akses te drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit.

Kjo është mënyra më e thjeshtë për ta vrarë thelbin e një skandali: e bën banal.

Sepse pyetja që duhet bërë nuk është çfarë i shkruante Agasi Hysenit. Pyetja është kush ia dha Agasit pushtetin ta përdorte shefen e SHISH-it ne menyre banale.

Kush e bëri Ergys Agasin kaq të fortë sa të kishte këtë lloj aksesi në një institucion që supozohet se ruan sigurinë e shtetit? Kush e garantoi këtë afërsi? Kush e pa dhe heshti? Kush e dinte dhe nuk ndërhyri? Dhe mbi të gjitha, kush e kontrollon shefen e SHISH-it, nëse ajo lajthit dhe përfundon në këtë lloj komunikimi me një njeri jashtë sistemit?

Sepse nga ky moment nuk kemi te bejme me moralin e dhe privatesine e dy njerezve.
Jemi te shteti privat.

Jemi te momenti kur institucioni më i mbyllur i Republikës duket sikur hapet me nje mesazh telefoni dhe disa thirrje te humbura. Jemi te ajo zona gri ku pushteti formal dhe pushteti informal nuk dallohen më. Ku një njeri me lidhje, me dosje, me ndikim apo me mbrojtje, nuk ka nevojë të ketë zyrë shtetërore, sepse i mjafton të ketë njerëzit e duhur në lsiten e telefonit.

Dhe pikërisht për këtë arsye, pjesa rozë është e dobishme dhe tashme esbte dhe me e gjykuara.

Sepse po të merresh me “romancën”, nuk merresh me zinxhirin e përgjegjësisë. Po të merresh me fjalët e mesazheve, nuk pyet më kush e emëroi Vlora Hysenin, kush e promovoi, kush e kontrolloi, kush e mbajti në detyrë dhe si është e mundur që drejtuesja e shërbimit sekret të ekspozohej në këtë mënyrë.

Një pjesë e medias po e bën këtë punë me shumë përpikëri. E ka mare skandalin, janka hequr peshën shtetërore, rrezikun institucional dhe ia ka lene vetëm pjesën e konsumueshme. Teksa Publikut i serviret kurioziteti, jo mekanizmi. I jepet gallata, jo pyetja.

Por kjo histori nuk është gallatë.

Nëse një njeri si Ergys Agasi mund ta trajtonte drejtuesen e SHISH-it si një njeri në dispozicion, atëherë problemi nuk është te një mesazh më shumë apo një mesazh më pak. Problemi është se shteti paska qenë në dispozicion te tij. Ose të paktën një pjesë e tij.

Dhe kjo ne fakt eshte pjesa më e rëndë.

Sepse shërbimi sekret nuk është institucion dosido. Nuk është zyrë informacioni. Nuk është sportel favorësh. Është vendi ku mblidhen, filtrohen dhe mbrohen informacionet më të ndjeshme të shtetit. Nëse drejtuesja e këtij institucioni vihet në pozitë të dyshimtë nga komunikime me një personazh të tillë, kjo nuk është histori personale. Është krizë besimi në një institucion që jeton vetëm mbi besimin.

Kush e përdori kë?

Kjo është pyetja.

A e përdori Agasi Hysenin? Apo dikush tjetër përdorte Agasin? A ishte kjo thjesht marrëdhënie personale, apo një kanal ndikimi? Çfarë kërkohej? Çfarë jepej? Çfarë lëvizte nëpër këtë afërsi? Informacion? Ndërhyrje? Mbrojtje? Sinjale? Garanci?

Është shumë më e rehatshme të bësh sikur problemi është intimiteti. Intimiteti e humanizon skandalin. E bën të duket si dobësi njerëzore. Ndërsa e vërteta institucionale është shumë më e ftohtë: në krye të SHISH-it ishte një zyrtare që, sipas akteve dhe komunikimeve të bëra publike, kishte një raport të papranueshëm me një personazh që nuk duhej të kishte asnjë mundësi të qasej në atë nivel.

Kjo është arsyeja pse çështja nuk duhet lënë të rrëshqasë në baltën e thashethemit.

Sepse thashethemi është shpëtimi i skandalit.

Sa më shumë të flitet për pjesën personale, aq më pak flitet për përgjegjësinë politike dhe institucionale. Sa më shumë të qeshet me mesazhet, aq më pak pyetet kush e lejoi këtë marrëdhënie pushteti. Sa më shumë të merremi me ridikulizimin e Hysenit, aq më pak merremi me sistemin që e vendosi në krye të shërbimit sekret.

Dhe ky është thelbi.

Vlora Hyseni nuk ra nga qielli në SHISH. Ajo u zgjodh. U dekretua. U mbështet. U garantua. U paraqit si njeri i besueshëm për një nga institucionet më të ndjeshme të vendit. Tani që emri i saj del në një histori të tillë, nuk mund të bëjmë sikur problemi fillon dhe mbaron te mesazhet.

Problemi fillon te ata që e vendosën aty.

Dhe jo rastësisht, sot po tentohet që kjo çështje të lexohet si histori rozë. Sepse sa më shumë të flitet për intimitetin, aq më pak flitet për përgjegjësinë e atyre që e çuan shtetin deri në këtë pikë. Një skandal i kthyer në thashethem nuk prodhon llogari. Prodhon vetëm zhurmë.

Sepse ata që sot përpiqen ta bëjnë këtë histori të duket rozë, janë pikërisht të njëjtët që duhet të japin llogari se si shteti degradoi deri në këtë pikë.

Dhe kur përgjegjësit prodhojnë spektakël, kjo nuk është më gazetari: është mënyra më e vjetër për ta fshehur krimin pas zhurmës./vna