Një deklaratë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka shkaktuar reagime të forta në Itali, përfshirë edhe nga Kisha Katolike.
Gjatë një konference, Tajani u pyet se çfarë këshille do t’i jepte të birit për zgjedhjen e një gruaje me të cilën të martohej. Ai tha se, ndonëse mund të ishte mirë të martohej me një grua joshëse, një grua e tillë mund të kishte pasur disa marrëdhënie, të ishte divorcuar dhe të kishte tendencë të tradhtonte.
Sipas Tajanit, ai do ta këshillonte të birin të zgjidhte një grua “më pak tërheqëse”, por më të besueshme, e cila do të ishte një nënë e mirë dhe do t’i qëndronte besnike martesës.
“Një që ndoshta vesh funde pak më të gjata se të tjerat”, tha Tajani.
Deklaratat shkaktuan reagime të menjëhershme nga politika dhe në rrjetet sociale. Disa përdorues publikuan fotografi të manipuluara të Tajanit me minifund, ndërsa deputete opozitare publikuan fotografi të tyre të veshura me funde të shkurtra.
Deputetja e Lëvizjes Pesë Yje, Chiara Apetino, publikoi një fotografi me minifund dhe reagoi me ironi ndaj ministrit.
“Tajani, a nuk jam një grua e besueshme? A nuk jam një nënë e mirë? Në vitin 2026 nuk duhet të dëgjojmë një ministër qeverie që na shpjegon se është më mirë të martohemi me një grua që është më pak mbresëlënëse dhe me një fund më të gjatë. Besueshmëria jonë nuk matet me centimetra pëlhure”, shkroi ajo.
Në Senatin italian, 11 senatore të opozitës u shfaqën me minifunde në një protestë simbolike në Palazzo Madama. Ato përfaqësonin Partinë Demokratike, Italia Viva dhe Aleancën e të Gjelbërve dhe të Majtës.







