Ballina Politika Eric Wendt nis zyrtarisht misionin në Shqipëri, i dorëzon letrat kredenciale Presidentit...

Eric Wendt nis zyrtarisht misionin në Shqipëri, i dorëzon letrat kredenciale Presidentit Begaj

33
0

Pas gati tre vitesh, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka sërish një ambasador. Eric Wendt ka nisur këtë të shtunë zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Shqipëri, duke pasuar Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin në qershor të vitit 2023.

Wendt i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave. Pas ceremonisë, ambasadori amerikan dhe kreu i shtetit zhvilluan një takim kokë më kokë. Wendt qëndroi rreth dy orë në ambientet e Pallatit të Brigadave.

Gjatë dëgjesës së tij në Senat, Wendt përcaktoi si prioritete të mandatit në Shqipëri luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike, si dhe nxitjen e marrëdhënieve ekonomike.

Ambasadori i ri amerikan ka shprehur gjithashtu mbështetje për SPAK-un dhe bashkëpunimin e tij me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucionit.

Më 2 tetor, Wendt pritet të zhvillojë pritjen zyrtare, ku do të ftohen përfaqësues të politikës shqiptare nga të gjitha krahët.