Ballina Politika Emiri: Artisti s’mund të konsiderohet si një punëtor i zakonshëm, kërkohet Statusi...

Emiri: Artisti s’mund të konsiderohet si një punëtor i zakonshëm, kërkohet Statusi i Artistit

33
0

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të PD, Julinda Emiri ka shprehur shqetësimin për ‘trajtimin financiar të artistëve performues pas ndërprerjes së veprimtarisë artistike skenike’ ku artisti trajtohet me logjikën e një punonjësi të zakonshëm, ndërsa specifika e profesionit të tij merret në konsideratë kur diskutohet përfundimi i karrierës.
Në një deklaratë nga selia e PD-së, ajo theksoi se projektligji godet dhe një aspekt thelbësor: çështjen e memories artistike të institucioneve.

Një solist, korist apo balerin me dekada xperience nuk përfaqëson vetëm një numër në organikë. Ai mbart xperienc, shkollë interpretimi, teknikë dhe përvojë që transmetohen te artistët e rinj. Rinovimi I trupave është I nevojshëm, por duhet të ndërtohet një mekanizëm që siguron kalimin e xperiences ndër breza, jo ndërprerjen mekanike të saj”

Më tej Emiri theksoi se Partia Demokratike e ka gati programin për Artin dhe Kulturën, ku reforma ligjore është konceptuar si një e tërë: ndryshime në ligjin për artin dhe kulturën, ndryshime në Kodin e Punës dhe në rregulloret e institucioneve, Kontrata Profesionale Kombëtare e Punës dhe Statusi i Artistit.

Deklarata e kryetares së Këshillit Kombëtar të PD, Julinda Emiri:

Projektligji ‘Për trajtimin financiar të artistëve performues pas ndërprerjes së veprimtarisë artistike skenike’, ka hapur një debat serioz, që nuk kufizohet vetëm te përcaktimi i moshës për përfundimin e veprimtarisë skenike.

Çështja e parë është mungesa e një sistemi të plotë ligjor për profesionin e artistit. Statusi i Artistit nuk është një dispozitë për pensionin. Ai duhet të përfshijë tre dimensione që sot mbeten të copëzuara: statusin profesional, mbrojtjen sociale dhe të drejtat ligjore të artistit. Pikërisht për këtë arsye pensioni nuk mund të trajtohet si pika e parë e reformës.

Në institucionet artistike ende mungon Kontrata Profesionale Kombëtare e Punës. Sot nuk janë të rregulluara në një kontratë të tillë elemente themelore si vështirësia e punës, ngarkesa fizike dhe vokale, ditët dhe ritmi specifik i punës artistike, provat, performancat, dëmtimet profesionale, sigurimet dhe zhvillimi i karrierës.

Këtu shfaqet absurdi i këtij projektligji: artisti trajtohet me logjikën e një punonjësi të zakonshëm, ndërsa specifika e profesionit të tij merret në konsideratë kur diskutohet përfundimi i karrierës.

Njohja e statusit të posaçëm të artistit vetëm kur llogarit pensionimin e artistit, pa garantuar më parë të drejtat që burojnë prej së njëjtës specifikë gjatë gjithë viteve të punës është një kurth i këtij projektligji.

Vështirësia e profesionit është po ashtu e patrajtuar. Nuk mund të përcaktohet drejt trajtimi në fund të karrierës pa përcaktuar më parë peshën e kësaj vështirësie gjatë viteve të punës, efektin në pagë, në sigurime dhe në të drejtat e fituara.

Fashat e detyrueshme të moshës janë një tjetër ngërç. Baleti ka një cikël profesional të ndryshëm nga arti lirik, një solist ka një zhvillim tjetër nga një valltar apo acrobat. Për më tepër, një kriter që miratohet sot nuk përcakton vetëm fatin e artistëve që janë aktualisht 47 apo 57 vjeç, por krijon një rregull afatgjatë edhe për brezat e ardhshëm.

As dimensioni social nuk merret parasysh. Drafti parashikon trajtim financiar dhe vazhdimësi të sigurimeve, por debati nuk mbyllet me nivelin e pagesës. Duhet të përcaktohet qartë çfarë statusi ka artisti pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës, çfarë të drejtash ruan, si lidhet kjo periudhë me pensionin e plotë dhe mbi çfarë baze llogariten përfitimet. Këto çështje duhen parë së bashku me pagën, vështirësinë e profesionit dhe kontributet gjatë gjithë karrierës.

Ky projektligj godet dhe një aspekt thelbësor: çështjen e memories artistike të institucioneve. Një solist, korist apo balerin me dekada eksperiencë nuk përfaqëson vetëm një numër në organikë. Ai mbart repertor, shkollë interpretimi, teknikë dhe përvojë që transmetohen te artistët e rinj. Rinovimi i trupave është i nevojshëm, por duhet të ndërtohet një mekanizëm që siguron kalimin e eksperiencës ndër breza, jo ndërprerjen mekanike të saj.

Goditja e memorjes nuk është një rast i izoluar, por filozofia e përfaqësuesve të institucioneve kulturore në qeverinë e Edi Ramës.

Artistët të mos harrojnë bilancin: shkatërrimin në çdo sektor të artit, nga Teatri Kombëtar te Galeria Kombëtare e Arteve, Muzeu Historik Kombëtar dhe Cirku.

Artistët nuk duhet ta pranojnë këtë draft dhe as të negociojnë të drejtat e tyre, konsultimi nuk mund të jetë formal. Duhet një proces pune me trupat artistike, sindikatat, specialistët e së drejtës së punës dhe profesionistët që njohin specifikat e çdo kategorie.

Partia Demokratike e ka gati programin për Artin dhe Kulturën, ku reforma ligjore është konceptuar si një e tërë: ndryshime në ligjin për artin dhe kulturën, ndryshime në Kodin e Punës dhe në rregulloret e institucioneve, Kontrata Profesionale Kombëtare e Punës dhe Statusi i Artistit.

Këto dy instrumente duhet të ecin sipas një rendi të qartë. Së pari implementohet kontrata profesionale, sepse ajo përcakton realisht kushtet në të cilat artisti punon çdo ditë. Mbi këtë bazë ndërtohet Statusi i Artistit, i cili bashkon mbrojtjen profesionale, sociale dhe ligjore, përfshirë edhe mënyrën e tranzicionit drejt pensionit.

Programi i PD-së e ka përcaktuar Kontratën Profesionale Kombëtare të Punës si një reformë prioritare dhe ka parashikuar implementimin brenda tre muajve të parë të qeverisjes.

Po në këtë program parashikohet vendosja e vështirësisë së punës për artistët në ‘Kategorinë 1’, si dhe pjesëmarrja e komunitetit artistik në politikëbërjen institucionale.

Statusi parashikon më tej mbrojtjen ligjore të artistëve dhe profesionistëve të pavarur, formalizimin e kategorive profesionale dhe sigurimet edhe për artistët që angazhohen jashtë trupave të përhershme.

Prandaj debati që kemi sot nuk duhet të përfundojë me ndryshimin e një moshe apo të një përqindjeje në projektligj.

Duhet të shërbejë për të bërë reformën që arti shqiptar pret prej vitesh: Kontratën Profesionale Kombëtare të Punës dhe Statusin e Artistit.