Ballina Politika ‘Nuk ndalemi deri në dorëheqjen e Ramës’/ Xhemalaj: Nga sheshi mund të...

‘Nuk ndalemi deri në dorëheqjen e Ramës’/ Xhemalaj: Nga sheshi mund të lindë një alternativë e re politike

33
0

Aktivisti Ilir Xhemalaj, ka deklaruar se synimi i protestuesve është përfshirja gjithnjë e më e madhe e studentëve dhe të rinjve në tubime.

I ftuar në një studio televizive me gazetaren Daljana Sejdia, Xhemalaj tha se marshimi i kësaj të hëne drejt Qytetit Studenti kishte pikërisht këtë qëllim, ndërsa kërkoi që energjia e të rinjve të kanalizohet në protestë.

“Ne presim që studentët t’i bashkohen fuqishëm protestës. Sot ishte për ta, ndaj e çuam marshimin drejt Qytetit Studenti. Kjo protestë u ngrit nga rinia dhe duam që energjia e tyre të kanalizohet në shesh deri në rrëzimin e Ramës”, deklaroi Xhemlaj.

Aktivisti u shpreh kritik edhe ndaj opozitës dhe Sali Berishës, duke deklaruar se protesta nuk duhet të ndahet sipas bindjeve politike dhe se kush kërkon largimin e kryeministrit duhet të dalë në shesh.
“Është një sistem 80-vjeçar. E kemi me Ramën dhe Berishën, që deri sot ka qëndruar larg sheshit. Nëse duan që të rrëzojnë Ramën, nga të dyja anët duhet të dalin në shesh. Ditët e para shihnim shumë administratë, socialistë e demokratë në shesh. Qeveria ka pasur mundësi t’i shantazhojë, ndaj sot u kemi bërë thirrje të gjithëve të na bashkohen. Rinia duhet të jetë në shesh, nuk ka se çfarë të presë më”, tha ai.

Sipas Xhemalajt, gjatë 121 ditëve protesta ka ndryshuar dhe është maturuar, ndërsa grupet dhe individët e përfshirë në të tashmë mund të kalojnë drejt një organizimi më të strukturuar.

“Nga dita e parë në protestë kanë ndryshuar shumë gjëra. Protesta është maturuar dhe grupimet dhe personazhet kanë kaluar fazën e parë dhe kanë pjekuri dhe dëshirë për të bërë një organizim të mëtejshëm. Nga aty mund të dalin grupet e ardhshme politike”, deklaroi aktivisti.

Xhemalaj tha se, sipas tij, protesta duhet të prodhojë një alternativë politike, ndërsa e cilësoi të vështirë
mundësinë që Rama të largohet vetë nga posti.

“Duke parë opozitën dhe diktatori është bërë si kafsha e plagosur, që sot është më i rrezikshëm se kurrë, duhet të ofrohet një alternativë. E shoh të vështirë që Rama të japë dorëheqjen, sepse një diktator nuk e ka dhënë kurrë dorëheqjen”, u shpreh ai.

Megjithatë, aktivisti theksoi se ndryshimi i pushtetit duhet të vijë përmes zgjedhjeve dhe jo përmes marrjes së tij në rrugë të tjera.

“Duhet një lëvizje politike të dalë nga protesta dhe duhet të shkohet në zgjedhje. Pushteti merret vetëm me zgjedhje, jo nga sheshi apo diçka tjetër”, përfundoi Xhemlaj.