Zhvillime të reja janë shënuar në hetimin për vdekjen e këngëtarit grek George Mazonakis. Një infermiere 61-vjeçare në pension, e cila punonte me kohë të pjesshme në klinikën ku ndodhi ngjarja, dëshmoi të hënën, më 28 shtator, para hetuesit.
Sipas mediave greke, dëshmia e saj rëndon pozitën e dy mjekëve të arrestuar, Ioanna Gaka dhe Ilias Theodoropoulos.
Infermierja ndryshoi një pjesë të deklaratës së saj të parë. Fillimisht kishte thënë se ishte larguar nga klinika në orën 16:15, por para hetuesit pranoi se kishte qëndruar aty dhe përshkroi panikun që kishte përfshirë personelin pas përkeqësimit të gjendjes së Mazonakis.
Sipas saj, pas vdekjes së këngëtarit, mjeku 58-vjeçar iu drejtua punonjëseve duke u thënë: “Një njeri vdiq. Të gjithë jemi përgjegjës.”
Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë me saktësi se çfarë ndodhi gjatë minutave kritike dhe nëse pati vonesë në kërkimin e ndihmës së urgjencës. Një nga elementet që po shqyrtohet është koha mes sinjalit të alarmit të aparaturës së përdorur gjatë trajtimit dhe telefonatës për ambulancën.
Dy mjekët e arrestuar i mohojnë akuzat. Gaka ka deklaruar se veproi sipas rregullave mjekësore dhe se nuk kishte asnjë qëllim për t’i shkaktuar dëm këngëtarit. Ajo kundërshton gjithashtu pretendimin se ambulanca është thirrur me vonesë.
Theodoropoulos, nga ana tjetër, ka pretenduar se nuk ishte i përfshirë në trajtimin e Mazonakis dhe se nuk kishte dijeni për atë që po ndodhte në dhomën ku ndodhej këngëtari. Sipas tij, ai u përfshi vetëm më vonë në përpjekjet për ta reanimuar.
Në dosjen hetimore janë përfshirë edhe dëshmi të punonjësve të tjerë të klinikës, ndërsa autoritetet po analizojnë të dhënat e aparaturave dhe dëshmitë për të rindërtuar minutë pas minute ngjarjen.
Hetimi për rrethanat e vdekjes së George Mazonakis vijon, ndërsa dy mjekët mbeten të akuzuar dhe mohojnë përgjegjësinë penale.







