Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq administratorin, kryetarin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë së Parë Financiare të Zhvillimit (FAF sh.a), të akuzuar për shpërdorim detyre.
Në gjykim janë dërguar shtetasit I.M., A.K., Ll.P., D.Q., A.C., M.L., O.D. dhe E.Xh.
Hetimi lidhet me një procedim të 2020 për procedurën e blerjes së një automjeti nga FAF sh.a, që sipas Prokurorisë është kryer pa miratimin e Ministrit të Financave.
Njoftimi:
Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq administratorin, kryetaren dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës së FAF sh.a., për ‘Shpërdorim detyre’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq administratorin, kryetaren dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë së Parë Financiare të Zhvillimit (FAF sh.a.) shtetasit I.M., A.K., Ll.P., D.Q., A.C., M..L., O.D. dhe E.Xh të akuzuar për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr.248 të vitit 2020, sjellë nga Prokuroria e Posaçme, konstatuan një sërë shkeljesh të evidentuara edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me procedurat e prokurimeve të kryera nga këta persona.
Nga hetimet rezultoi se procedurat e ndjekura specifikisht për blerje automjeti, janë realizuar pa miratimin e Ministrit të Financave në atë kohë dhe në dosjen e tenderit nuk administrohet argumentimi i kritereve të veçanta për kualifikim, në kundërshtim me ligjet në fuqi. Për sa më sipër është ngarkuar me përgjegjësi administratori D. Q. Si dhe Këshilli Mbikqyrës i përbërë nga kryetarja shtetasja I.M. si dhe anëtarët A.C., A.K., M.L., Ll.P., O.D., si dhe A.Gj. Ky mjet rezultoi gjithashtu se ishte më parë në pronësi të kryetares së Këshillit Mbikëqyrës, shtetases I.M. ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë.
Hetimet arritën në përfundim se mjeti i blerë nga FAF sh.a., me vendimin e asamblesë në vlerën 1 600 000 lekë me tvsh, që do zëvendësonte punën e 6 mjeteve, nuk mund të përmbushte nevojat për 30 degët në 30 rrethe të Shqipërisë të kompanisë. Po kështu dhe caktimi i një vendi shtesë pune për shofer për këtë mjet të sapoblerë, kur ishin tashmë 6 shoferë të tillë pa mjete dhe që mernin rrogat, ishte i tepërt dhe në kundërshtim të hapur me ligjin.
Në përfundim të hetimeve, me provat dhe aktet e administruara, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm vlerësoi se provohet se nga ana e shtetasve të pandehur I.M., A.K., Ll.P., D.Q., A.C., M.L., O.D., dhe E.Xh., me veprime aktive ose mosveprime, janë konsumuar elemente të figurës së veprës penale të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.







