I ftuar në një emision televiziv, Redi Muçi deklaroi se do të votojë kundër propozimit të Partisë Socialiste dhe atij të Partisë Demokratike, duke kritikuar mënyrën se si po hartohet reforma territoriale.
“Atëherë unë do votoj kundër, pasnesër për propozimin e Partisë Socialiste, por unë do votoja po prapë kundër edhe ndaj propozimit të Partisë Demokratike, sepse unë gjykoj që atij që kërkon 100, mund të thoshte 150, mund të thoshte 80, se është lojë kungulleshkash kjo, më kupton? Sepse unë mendoj se i gjithë procesi është bërë së prapthi, ose më saktë është një proces i cili ka nisur së prapthi, në mënyrë më karakteristike të dy partive kryesore.
Pra, ky është një komision bipartiak, siç thatë ju, që e ka nisur punën që para një viti, dhe që para një viti, secila prej palëve duhet të kishte dalë me propozimet e veta. Pra, të ishte konsultuar me urbanistë, me çfarë mendonte ajo se është gjëja më e mirë, më eficente le të themi për decentralizimin, funksionimin dhe të shkonte qark më qark siç bën, për një vit me radhë, dhe në radhë të parë të diskutohej çështja me banorët, ku të argumentojë që ‘shiko, propozimi ynë e shton eficencën, nuk ua heq shërbimet’ e me radhë e me radhë, në qoftë se shkriheni.
Dhe nga ana tjetër propozimi i Partisë Demokratike, në qoftë se ndaheni në më shumë pjesë, e njëjta gjë. Dhe aty pastaj do kishte një debat që do përfshinte komunitetet lokale, ekspertët e fushave, urbanistët, ekspertët e ndarjes territoriale, madje gjithë opinionin publik.
Pra, nuk mund të shkosh në Korçë dhe të mos thuash që do shkrihet Maliqi, ndërkohë që këtë gjë maliqarët e marrin vesh vetëm në minutën e fundit para se të votohet reforma. Reforma administrative-territoriale është një reformë që bëhet një herë në 10 vjet, kur bëhet dhe censi apo jo? Pra është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme për t’i ofruar qytetarëve shërbimet e munguara. Dhe mënyra sesi bëhet, që mbahet letra poshtë tavolinës deri në sekondën e fundit, pastaj në fund, pasi ju dëgjuam ne të gjithëve juve, e nxjerr letrën e thonë ‘këtë do votojmë tani’, kjo është mënyra për t’i bërë gjërat së prapthi. E para kjo.
E dyta lidhet me faktin që të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se sa herë është bërë reformë territoriale në Shqipëri, është bërë në funksion të reformës zgjedhore.
Pra, të mënyrës sesi do ndahen territoret që të zgjedhin më shumë deputetë partia që është në pushtet tradicionalisht. I njëjti fenomen po ndodh edhe me komisionin për hartimin e reformës zgjedhore. Edhe ai është një komision bipartiak, që do duhej ta kishte nisur punën me propozim. Të thoshte ‘ne qëndrojmë për këtë sistem zgjedhor. Ne për këtë tjetrin’. Dhe pastaj të shtrohej diskutimi në publik. Ata ende e mbajnë fletën poshtë tavolinës. Kështu që ne nuk e dimë nëse reforma territoriale i shërben kodit zgjedhor që kemi (pra proporcional rajonal), apo do bëhet një kod tjetër zgjedhor, një ndarje tjetër sa i përket zgjedhësve, procesit të zgjedhjeve, që s’ka lidhje fare me reformën territoriale. Kështu që është bërë së prapthi siç është bërë në këto 30 e ca vjet çdo gjë që është me rëndësi dhe që do duhej, siç thashë, të përfshinte qytetarët, opinionin publik, ekspertët e me radhë”, u shpreh Muçi.







