Ndërsa punimet fizike dhe ndërtimi i stacioneve në linjën hekurudhore Tiranë–Durrës–Aeroporti i Rinasit duket se nuk kanë fund asnjëherë, qeveria ka ndezur dritën jeshile për fazën tjetër: zgjedhjen e kompanisë që do të menaxhojë lëvizjen e trenave.
Gjatë një takimi konsultativ të zhvilluar këtë të martë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë prezantoi shtyllat e kontratës së re të shërbimit publik, e cila do të përcaktojë standardet e transportit dhe mekanizmat e kompensimit financiar.
Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, bëri të qartë se këtë herë shteti nuk do të paguajë thjesht për trena që bëjnë kilometra në letër, por për një shërbim modern dhe të matshëm për qytetarët.
Përmes këtij konsultimi, qeveria po teston interesin e kompanive ndërkombëtare jo vetëm për menaxhimin e udhëtarëve, por edhe për modelin e financimit, mirëmbajtjen e mjeteve lëvizëse dhe afatet e nisjes së shërbimit zyrtar. Sipas ministrit, projekti i Rinasit përfshin edhe elektrifikimin e plotë të linjës, i cili parashikohet të përfundojë brenda vitit 2027.







