Ballina Ekonomia Inflacioni rritet në Shqipëri, ja çfarë parashikon BSH për 3-mujorët e ardhshëm

Inflacioni rritet në Shqipëri, ja çfarë parashikon BSH për 3-mujorët e ardhshëm

69
0

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ndau sot të dhënat e reja mbi inflacionin në vend.

Në fjalën e tij në një konferencë për shtyp, Sejko u shpreh se inflacioni i çmimeve të konsumit pësoi rritje gjatë muajve korrik-gusht, duke shënuar një nivel mesatar prej 3.3%.

Sipas Sejkos, këto çmime shënuan rritje të shpejtë në këtë periudhë, si pasojë e intensifikimit të tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Nga ana tjetër, ecuria dhe niveli i inflacionit në vend pasqyrojnë gjithashtu kërkesën e qëndrueshme për mallra e shërbime në vend, si dhe kushtet e shtrënguara në tregun e punës.

Guvernatori tha se rritja e inflacionit në muajt korrik-gusht ishte disi më e shpejtë se parashikimet.

Nga këndvështrimi i strukturës së shportës, rritja e inflacionit u ndikua nga rritja e çmimeve të karburantit dhe të ushqimeve të papërpunuara. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të shërbimeve dhe ai i qirave shënoi rënie.

Sekjo ndau edhe një parashikim të Bankës së Shqipërisë, se inflacioni i çmimeve të konsumit pritet të shënojë një rritje të lehtë gjatë dy tremujorëve të ardhshëm, si pasojë e efekteve direkte dhe indirekte të rritjes së çmimeve në tregjet e huaja.

“Inflacioni pritet të kthehet gradualisht drejt objektivit përgjatë horizontit afatmesëm. Ky parashikim faktorizon pritjet tona për një goditje të përmbajtur dhe afatshkurtër të ofertës në tregjet e huaja, një ecuri të balancuar të kërkesës dhe ofertës agregate në vend, për pritje të ankoruara të bizneseve e tregjeve financiare, për ruajtjen e kahut konsolidues të politikës monetare, si dhe vlerësimin tonë mbi miksin e përshtatshëm të kushteve financiare në të ardhmen”,-tha Sejko.
Megjithatë, theksohet se tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë shqiptare.