Kreu i kanalit Rybar në Telegram, Mikhail Zvinchuk, bashkëshortja e tij Valeria dhe tre kolegë të tyre, të cilët u dëbuan nga Mali i Zi, mbërritën në Beograd të premten në mbrëmje.
Në aeroportin e Beogradit, ata njoftuan se gjatë ditëve në vijim do t’i shqyrtojnë hapat e mëtejshëm, përfshirë angazhimin e avokatëve, raportoi Radiotelevizioni i Malit të Zi.
Ata u larguan nga Mali i Zi drejt Serbisë fqinje pasi ishin urdhëruar nga autoritetet malazeze të largoheshin nga vendi për shkaqe të “sigurisë kombëtare dhe të brendshme”.
Vendimin për dëbimin e tyre e mori Drejtoria e Policisë së Malit të Zi.
Radio Evropa e Lirë (REL) iu drejtua Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për koment lidhur me hapat e mëtejshëm që mund të ndërmarrë Beogradi, por nuk mori përgjigje, shkruan REL.
REL-i zbuloi se Zvinchuk kishte qëndruar në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë para se të shkonte në Mal të Zi, ku, së bashku me ekipin e tij, dyshohet se po xhironte një seri dokumentarësh për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ballkanit.







