Ballina Bota Stuhia “Isaias” merr të paktën katër jetë në SHBA, dy viktima në...

Stuhia “Isaias” merr të paktën katër jetë në SHBA, dy viktima në Florida dhe dy në Alabama

131
0

Të paktën katër persona kanë humbur jetën sot si pasojë e stuhisë “Isaias”, dy prej tyre në qarkun Escambia të Floridës dhe dy të tjera në Alabama.

Në qarkun Escambia të Floridës, një person humbi jetën pasi mbeti i bllokuar nën një pemë që u rrëzua mbi një shtëpi, tha për CNN Melony Peterson, zëdhënëse e Zyrës së Sherifit të qarkut Escambia, transmeton KosovaPress.

Viktima u gjet pa shenja jete nga ekipi i zjarrfikësve dhe shpëtimit të qarkut kur ata mbërritën në vendngjarje.

Gjithashtu në këtë qark, një person u gjet i vdekur sot herët në garazhin e tij, i cili ishte i mbyllur dhe kishte një gjenerator në punë brenda. Katër anëtarë të familjes së tij, të moshave 72, 24, 5 dhe 4-vjeç, u dërguan në spital për trajtim mjekësor, por gjendja e tyre nuk paraqet rrezik për jetën, tha zëdhënësja.

Ndërkohë, guvernatorja e Alabamës, Kay Ivey, deklaroi mëngjesin e sotëm se dy banorë të Alabamës kanë humbur jetën si pasojë e stuhisë.

“Kjo stuhi solli erëra të fuqishme në të gjithë Alabamën, duke rrëzuar pemë, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe duke shkaktuar dëme. Fatkeqësisht, kemi marrë vesh gjithashtu se dy banorë të Alabamës kanë humbur jetën”, shtoi Ivey.