Egnatia ka siguruar një fitore të rëndësishme 0-2 në transfertë ndaj Laçit, në ndeshjen e vlefshme për javën e gjashtë të Superiores.
Pjesa e parë e takimit u mbyll pa gola, pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat, ku vlen të përmenden rastet e Nergutit për vendasit dhe Albaneses për miqtë.
Në fraksionin e dytë, Laçi iu afrua avantazhit me anë të Bibos dhe Nergutit, por shtylla shpëtoi portën e kampionëve në fuqi.
Momenti vendimtar i sfidës erdhi në minutën e 72-të, kur Ildi Gruda fitoi një penallti për Egnatian pasi u ndal në mënyrë të parregullt nga Bibo. Ekzekutimi i parë i Loukilit u anulua për parregullsi gjatë goditjes, ndërsa në përsëritjen e penalltisë, portieri Guri priti gjuajtjen, por Loukili shënoi nga topi i kthyer.
Në minutën e 89-të, Diabate vulosi rezultatin përfundimtar 0-2 pas një kundërsulmi të shpejtë.
Me këtë sukses, Egnatia ngjitet në kuotën e 15 pikëve, duke mbajtur vendin e dytë me vetëm një pikë më pak se Teuta kryesuese. Nga ana tjetër, skuadra e Laçit mbetet në vendin e pestë të klasifikimit me 7 pikë të grumbulluara.







