Ballina Europë Të shtëna me armë zjarri në një shkollë në Francë, plagosen drejtori...

Të shtëna me armë zjarri në një shkollë në Francë, plagosen drejtori dhe një mësues, arrestohet 14-vjeçari

122
0

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e së hënës, 12 tetor, në një shkollë në qytetin Aubagne, në jug të Francës, ku të shtënat me armë zjarri kanë plagosur drejtorin e institucionit dhe një mësues. Për ngjarjen është arrestuar një 14-vjeçar, i dyshuar si autori i sulmit.

Sipas televizionit francez BFMTV, incidenti ndodhi në shkollën Joseph-Lakanal, në rajonin Bouches-du-Rhône, pranë Marsejës. Mediat franceze raportojnë se janë dëgjuar të paktën katër të shtëna me armë zjarri.

Drejtori 53-vjeçar i shkollës u plagos në këmbë nga predha të një pushke, ndërsa një mësues 37-vjeçar u godit në kofshë nga një plumb që kishte bërë rikoshet.

Pas alarmit, në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilat u dhanë ndihmën e parë dy të plagosurve. Sipas një burimi të cituar nga BFMTV, jeta e tyre nuk është në rrezik.

Policia ka arrestuar një 14-vjeçar, i cili dyshohet se hapi zjarr brenda shkollës. Rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten për t’u sqaruar.