Është e premte, 16 tetor, dhe sipas kalendarit të vendosur nga Edi Rama, në orën 17:00 deputetët socialistë duhet të jenë në takimet e tyre të përjavshme me qytetarët. Kryeministri e pagëzoi këtë nismë “Prania Besnike” dhe më 3 shtator premtoi se ajo nuk do të ndalej asnjë të premte, nuk do të ndryshonte orar dhe do të vazhdonte për sa kohë ai të ishte kryetar i Partisë Socialiste.
Por sot është një e premte pak më ndryshe. Tirana po përjeton ditë protestash, përplasjesh me policinë, institucionesh të sulmuara dhe biznesesh të dëmtuara. Qeveria flet për forca të errëta, agjentura të huaja dhe skenarë destabilizimi, ndërsa Policia ka njoftuar dhjetëra arrestime. Në këtë situatë, mbetet për t’u parë nëse socialistët do t’i qëndrojnë besnikë kalendarit të kryetarit të tyre.
Kur e prezantoi nismën, Rama ishte kategorik: çdo të premte, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend. Pa kamera, pa tesera partie dhe pa fjalime politike. Deputetët do të dëgjonin hallet e qytetarëve, do t’i mbanin shënim dhe do t’ua përcillnin institucioneve. Madje, Kryeministri u kujdes të sqaronte se këto takime nuk do të shërbenin për të rekrutuar patronazhistë apo për të kërkuar vota.
Dhe sot hallet nuk mungojnë. Ka prindër që shqetësohen për sigurinë e fëmijëve, qytetarë që kanë frikë të dalin në rrugë, tregtarë që kanë parë bizneset e tyre të shkatërrohen dhe të rinj që protestojnë kundër qeverisë. Pra, nëse ka një të premte kur deputetët socialistë kanë çfarë të dëgjojnë, është pikërisht kjo.
Sigurisht, për arsye sigurie mund të ketë nevojë për ndryshime në organizimin e takimeve. Por deri tani nuk kemi një konfirmim nëse “Prania Besnike” do të zhvillohet sot sipas kalendarit të zakonshëm.
Pyetja mbetet fare e thjeshtë: A do të jenë sot në orën 17:00 deputetët socialistë në vendet e tyre për të dëgjuar qytetarët, apo “Prania Besnike” do të marrë pushim pikërisht kur qytetarët kanë më shumë për t’u thënë?/vna







