Ballina Opinion Kur të uriturve u kërkohet me arrogancë të pranojnë dhe të mirëkuptojnë...

Kur të uriturve u kërkohet me arrogancë të pranojnë dhe të mirëkuptojnë të nginjurit!

107
0

Nga Irena Beqiraj

Sot është e premte. Dita e pranisë së përjavshme besnike të deputetëve socialistë, të cilët çdo të premte, në orën pesë, dëgjojnë hallet e qytetarëve, mbajnë shënime dhe premtojnë vëmendje. Por vendimet e tyre dhe narrativa që përcjellin ofrojnë diçka krejt tjetër: përçmimin.

I kemi dëgjuar të gjithë kur na thonë se shqiptarët janë më të pasur, se ekonomia shqiptare është më e qëndrueshme se ekonomitë e tjera të Ballkanit, se pagat dhe pensionet janë rritur.

Na flasin edhe për «kryengritjen e lavdishme të lekut, duke e paraqitur forcimin e monedhës kombëtare si një sukses të jashtëzakonshëm. Por zhvlerësimi i euros me 20,3% gjatë periudhës 2020–2025, nuk është vetvetiu provë se familjet shqiptare jetojnë më mirë.

Përkundrazi, ky sukses «surelian» nuk mund ta fshehë realitetin e përditshëm të qytetarëve, as të mbulohet me përqeshjen ndaj atyre që ngrenë zërin për vështirësitë e tyre.

Pushteti, kur zgjatet dhe nuk vihet më në pikëpyetje, mund të shndërrohet në një tumor malinj për ndjeshmërisë njerëzore. Ai krijon një distancë gjithnjë e më të madhe mes atyre që marrin vendime dhe atyre që vuajnë pasojat e vendimeve.

Në vend që ta shohin realitetin nga këndvështrimi i qytetarëve, pushtetarët përfundojnë duke e gjykuar atë nga lartësia e privilegjeve të veta. Dhe kur kjo distancë bëhet e pakapërcyeshme, arroganca zë vendin e empatisë. Le t’i shohim shifrat.

Kur të uriturve u kërkohet me arrogancë të pranojnë dhe

Gjatë periudhës 2020–2025, paga mesatare e deputetëve është rritur me 126%, paga minimale me 54%, pensioni mesatar me 28% dhe pensioni minimal me 18%.

Për 140 deputetët, rritja e pagës me 126% tejkalon rritjen e çmimeve të produkteve bazë ushqimore , të ardhurat e tyre u mundësojnë të blejnë më shumë se pesë vjet më parë.

Madje, u mbeten para edhe për gjilpëra dobësimi, botoks e filler-a për të trajtuar efektet e dobësimit. Për ta, ekonomia ka funksionuar. Të ardhurat e tyre janë rritur më shpejt se çmimet e produkteve bazë. Për pensionistët, historia është krejt tjetër.

Tavolina e tyre është ngushtuar. Zgjedhjet e tyre janë reduktuar tek produktet më të domosdoshme: orizi, makaronat, buka, mishi i derrit, vaji i lulediellit, ullinjtë, mollët dhe portokallet.

Edhe patatja, që ka,shërbyer jet e mot si bukë dhe gjellë, apo fasulja, e quajtur prej kohësh «mishi i të fukarait», është kthyer në një produkt luksi pasi çmimi i tyre u rrit më shpejt se të ardhurat.

Në tabelat këto produkte ushqimore luksi shënohen me kutiza të kuqe. Por pas kutizave nuk ka thjesht shifra. Ka vakte më të varfra, ushqime të hequra nga lista e blerjeve dhe familje që duhet të bëjnë llogari për çdo qindarkë.

Ndërsa për rreth 185 mijë të punësuarit me pagë minimale, 33 mijë mësuesit dhe 11.645 policë të thjeshtë, rritja e të ardhurave deri në 54% mund të krijojë një hapësirë disi më të madhe se ajo e pensionistëve.

Ata mund të shtojnë në tryezë ndonjë gotë qumësht apo ndonjë kofshë pule, he shpenzimet e tjera të përditshme. Nuk dua ta rrotulloj më tej thikën në plagë.

Prandaj nuk po ndalem te pensionistët me pension minimal, për të cilët edhe rritja e çmimit të bukës kapërcen rritjen e të ardhurave. Për ta, çështja nuk është më nëse mund të konsumojnë më shumë por mund të sigurojnë ushqimin e nevojshëm çdo ditë.

Kur njeriu detyrohet të zgjedhë mes bukës dhe ilaçeve, mes ngrohjes së shtëpisë dhe një vakti të plotë, të flasësh për suksesin ekonomik është të shpërfillësh pjesën më njerëzore të ekonomisë.

E pra ndërsa deputetët diskutojnë se si të heqin kilogramët e tepërt, populli përpiqet të sigurojnë kaloritë e nevojshme për të përballuar ditën. Populli ynë ka një shprehje të vjetër: «I ngopuri nuk e kupton dot të uriturin».

Pse duhet që pensionisti të durojë me durim, ndërsa deputeti i kërkon të besojë se jeton më mirë? Pse duhet që punonjësi me pagë minimale të kënaqet me përqindjet e rritjes, kur në fund të muajit paratë nuk i dalin për të gjitha nevojat?

Një qeveri mund të paraqesë statistika pozitive. Një ekonomi mund të shënojë rritje. Monedha mund të forcohet. Por asnjë prej këtyre treguesve nuk e përjashton detyrimin për t’iu përgjigjur pyetjes më të thjeshtë: a jetojnë njerëzit më mirë?

Mirëqenia nuk matet vetëm me atë se sa është rritur paga, por edhe me atë se çfarë mund të blesh me të. Nuk matet vetëm me rritjen ekonomike, por edhe me mënyrën se si shpërndahen përfitimet e saj. Dhe kjo nuk provohet duke u kërkuar njerëzve të besojnë, por duke u dhënë mundësinë ta ndiejnë përmirësimin në jetën e tyre.

T’u kërkosh të uriturve të besojnë të nginjurit është më shumë se një kontradiktë ekonomike. Është një formë arrogancë politike dhe përçmimi shoqëror.