Nga Klevi Elezi
Sa e madhe kjo fjali, e thënë nga një vajzë studente e mrekullueshme! Një fjali që duhet të tronditë ndërgjegjen e çdo prindi, çdo qytetari dhe të gjithë atyre që ende mendojnë se mund të vazhdojnë të jetojnë sikur asgjë nuk po ndodh.
Prindër, mbështetini fëmijët tuaj! Bashkohuni me ta! Mos i lini të vetëm në përpjekjen e tyre për një të ardhme më të mirë. Lëreni për një moment punën, hallet e përditshme dhe frikën që ju ka mbajtur të heshtur për vite me radhë.
Ju mund të keni humbur shumëçka në këto vite, por mos lejoni që fëmijët tuaj të humbasin edhe shpresën për të jetuar në një Shqipëri ku dinjiteti, liria dhe e ardhmja nuk janë privilegj i disave.
Ata nuk po kërkojnë një të ardhme të lehtë. Po kërkojnë një të ardhme që ia vlen të jetohet.
Prindër, sot fëmijët tuaj kanë nevojë për ju. Jo për t’i ndalur, por për t’u qëndruar pranë. Jo për t’u mësuar të kenë frikë, por për t’u treguar se nuk janë vetëm.
Sepse kur një brez i ri thotë “Nuk kemi asgjë për të humbur”, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: Çfarë Shqipërie u kemi lënë këtyre fëmijëve, që ata ndihen sikur nuk kanë më asgjë për të humbur?
Historia nuk i fal ata që ua vjedhin të ardhmen brezave të rinj.







