Moderatorja e njohur Arbana Osmani ka reaguar publikisht në rrjetet sociale lidhur me situatën e nxehtë politike dhe protestat masive që kanë përfshirë kryeqytetin, duke dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë e të fortë për kryeministrin Edi Rama.
Përmes një postimi në Instagram, Osmani shpjegoi se ka zgjedhur të heshtë këto ditë për të kuptuar më mirë zhvillimet, duke theksuar se ajo që po ndodh në vend nuk është një “reality show” apo mundësi për të marrë klikime.
“Kam zgjedhur të hesht këto ditë, për të kuptuar më mirë se ç’po ndodh; sepse mendoj se ajo që po ndodh sot në Shqipëri nuk është një reality show që duhet komentuar me tifozllëk nga divani i shtëpisë, as një mundësi për t’u shfaqur populiste me statuse për më shumë ‘likes’ në Instagram. Duhet kuptuar, për të reaguar,” shkruan ajo.
Si nënë e tre fëmijëve, moderatorja u shpreh e dëshpëruar nga pamjet e dhunës ndaj të rinjve që kërkojnë të drejtat e tyre, si dhe nga shkatërrimi i kryeqytetit.
“Si një nënë e 3 fëmijëve, më dhëmb të shoh të rinjtë e pashpresë, disa prej tyre në moshën e djalit tim, të rrihen dhe lëndohen duke marrë dhunën si të vetmen përgjigje për kërkesat e tyre legjitime, ashtu siç më dhëmb të shoh Tiranën të digjet për të satën herë në këto 30 vite.
Unë nuk kam besuar dhe nuk besoj kurrë se dhuna është zgjidhja. Këtë e mendoj qoftë për ata policët që tentojnë të shpërndajnë turmat me shkopinj gome, qoftë për ata që shkatërrojnë institucione e biznese që iu përkasin të gjithëve, qoftë dhe për plot miq e mikesha të Instagramit që me statuset e tyre populiste justifikojnë dhunën,” – vijon reagimi i saj.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Arbana Osmani i ka bërë thirrje të prerë kreut të qeverisë që të ndalë shpërfilljen dhe të dëgjojë zërin e popullit.
“Por si qytetare e këtij vendi ku kam vendosur të rris fëmijët e mi, sot më shumë se kurrë ndjej t’i them me zë të lartë kryeministrit: ‘Mjaft; respekto popullin tënd, dëgjoje.’ Askush nuk e meriton këtë,” përmbyll reagimin e saj Osmani.







