Një zjarr i madh ka përfshirë bazën ushtarake kanadeze në Wainwright, në provincën e Albertës, ku ka persona të vdekur dhe të plagosur, bëri të ditur ministri kanadez i Mbrojtjes, David McGuinty.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ngjarja ndodhi në një nga bazat e rëndësishme të Forcave të Armatosura Kanadeze. Ministri McGuinty konfirmoi se incidenti ka shkaktuar viktima, por nuk bëri të ditur numrin e saktë të personave që kanë humbur jetën apo janë lënduar.
“Më vjen keq të njoftoj se ka pasur vdekje dhe lëndime si pasojë e një incidenti”, deklaroi McGuinty para gazetarëve në kryeqytetin Ottawa, duke e cilësuar ngjarjen si tragjike.
Sipas deklaratave të ministrit, zjarri vazhdonte të ishte aktiv edhe të shtunën në mbrëmje. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për shkaqet e incidentit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Në zbardhjen e rrethanave janë angazhuar ushtria kanadeze dhe Policia Mbretërore Kanadeze e Kalëruar (RCMP).
Ndërkohë, kryeministri kanadez, Mark Carney, deklaroi përmes një postimi në rrjetet sociale se qeveria federale po bashkëpunon ngushtë me qeverinë e Albertës dhe autoritetet lokale për menaxhimin e situatës.
Autoritetet pritet të japin informacione të mëtejshme për viktimat dhe shkaqet e zjarrit, ndërsa rrethanat e plota të incidentit mbeten ende të paqarta.







