Ballina Opinion Kur pushteti nuk bind dot me argumente, fillon të flasë me pasoja

Kur pushteti nuk bind dot me argumente, fillon të flasë me pasoja

48
0

Nga Ersid Karaj 

Deklarata e sotme e Edi Ramës meriton të lexohet përtej toneve të saj dhe përtej gurëve që u hodhën gjatë protestave.

Sot, kryeministri nuk iu drejtua vetëm protestuesve. Ai iu drejtua studentëve, prindërve, mësuesve dhe policëve. Dhe secilit grup i dha një mesazh të ndryshëm.

Studentëve u tha se nuk dinë të lidhin dy fjalë bashkë dhe paralajmëroi pasoja administrative, humbje të bursave dhe të mbështetjes financiare për ata që përfshihen në dhunë.

Prindërve u kujtoi se mund të përballen me faturën e dëmeve të shkaktuara nga fëmijët e tyre. Mësuesve u dërgoi paralajmërimin se ata që nxisin nxënësit mund të humbasin vendin e punës.
Ndërkohë, për policët që përballen me protestuesit, njoftoi një shpërblim prej 2,500 eurosh për efektiv dhe rritje të konsiderueshme të pagave nga 1 janari 2027.

Problemi nuk është se policët do të shpërblehen për punën dhe rrezikun që përballojnë. Problemi është mesazhi politik që krijohet kur, në të njëjtën deklaratë, të rinjve u flitet me përçmim, prindërve me fatura, mësuesve me vendin e punës dhe policëve me shpërblime.
Çfarë dëgjon një student nga kjo deklaratë? Jo vetëm se protesta për të drejtat e tyre ka pasoja, por edhe se zëri i tij mund të zhvlerësohet duke e cilësuar të paaftë për të artikuluar mendimin.

Çfarë dëgjon një prind? Jo vetëm se duhet të kujdeset për fëmijën e tij, por edhe se mund të përballet financiarisht me pasojat e veprimeve të tij.

Çfarë dëgjon një mësues? Se kufiri mes përgjegjësisë profesionale dhe qëndrimit të tij politik, mund të cënohet deri në largim të përhershëm nga puna.

Dhe çfarë mesazhi merr shoqëria kur kryeministri i vendos këto grupe përballë njëri-tjetrit?!
Një student mund të mos ketë të drejtë në çdo kërkesë. Mund të gabojë, mund të teprojë, madje mund të shkelë ligjin. Por nuk e humbet të drejtën për t’u dëgjuar vetëm sepse është student dhe nuk pajtohet me kryeministrin.

Dhe këtu qëndron paradoksi: Sa më shumë një pushtet këmbëngul se është i fortë, aq më shumë duhet të tregojë se nuk ka frikë nga pyetjet, kritikat dhe protestat.

Një qeveri nuk tregon forcë vetëm duke paralajmëruar se kush do të paguajë faturën, kush do të humbasë bursën dhe kush mund të humbasë vendin e punës. Forca e vërtetë tregohet kur arrinë t’i përgjigjet pakënaqësisë qytetare, pa e kthyer çdo kritik në kundërshtar.