Nga Skënder Kapiti
Fitorja e kauzave të protestave patriotike të studentëve është fitore kombëtare; është fitore e së vërtetës, drejtësisë, demokracisë dhe lirisë; është fitore kundër tradhtisë, hajdutërisë dhe korrupsionit; është ndarje, ndëshkim dhe shpallje “non grata” e politikës së komunizmit dhe të tranzicionit; është pensionim e pastrim i politikës, është VETING gjithpërmasor. Pra, fitorja e kauzave tuaja është fitore e kauzave kombëtare, është triumfi i kombit.
Kurrë në historinë e shqiptarëve nuk ka pasur një lëvizje gjithkombëtare, gjithëpërfshirëse, në krye të së cilës është rinia studentore, e ardhmja e kombit, të cilën sot, më në fund, pas 142 ditësh, po e mbështesin edhe intelektualë, artistë dhe akademikë.
T’i luftosh sot kaq brutalisht të rinjtë studentorë, në këtë mënyrë siç po bëjnë policia, Partia Socialiste e Shqipërisë, rrugaçëria, halabakëria, mediat, Partia Socialiste dhe kryeministri i saj, sepse vetëm kryeministër i socialistëve është ai tashmë, pasi kur nuk të njohin dhe kur të shpallin “non grata” fëmijët, nxënësit, studentët dhe të rinjtë, atëherë PS-ja “non grata” dhe me turp do të mbulohet dhe do ta nxjerrë jashtë saj historia.
A nuk po e shikoni, o ju pjesë e publikut që po rrini indiferentë, se çfarë gabimi po bëni me indiferencën tuaj? Ju që ankoheni se i doni fëmijët këtu, pse nuk po protestoni kundër atyre që ua kanë dëbuar fëmijët tuaj nga atdheu?
Ju u kërkoni fëmijëve që t’ju dërgojnë euro për të blerë ilaçe, për të paguar ujë e drita dhe kaq me hile ua keni fëmijëve tuaj, sa nuk luftoni e as nuk protestoni që ata të kthehen te ju, te prindërit dhe te atdheu i tyre. Ju, diaspora, që erdhët në muajt e nxehtë të vitit për të mbështetur protestat, ku jeni, pse nuk po vini sot, kur ka shtatë ditë që rinia, vëllezërit dhe motrat tuaja po shtypen e terrorizohen?
Ju në Kosovë, mos e harroni kurrë atë pritje më se vëllazërore që ua kanë bërë Shqipëria dhe shqiptarët e Shqipërisë gjatë Luftës në Kosovë dhe, nëse nuk i mbështesni këto protesta, të paktën bëni mirë që të mos shpreheni dhe deklaroheni kundër tyre, sepse kjo vetëm sa do të nxisë përçarje dhe do të dobësojë unitetin. Ju që jeni në Kosovë kundër këtyre protestave jeni ata të cilët populli i Kosovës i dëboi nga pushteti si të korruptuar; jeni ju që e votuat Gjykatën Speciale dhe, po ju, tani e akuzoni Albin Kurtin për vendimin që mori Gjykata kundër katër të akuzuarve prej saj, në një kohë kur Kurti ka qenë në mënyrë krejtësisht kategorike kundër ngritjes së kësaj gjykate.
Jeni po ju që po shpifni sikur Kurti ka dorë në protestat studentore në Shqipëri, në një kohë kur disa nga ju, jo vetëm nga Kosova, por vinit edhe në televizionet e Shqipërisë dhe lehni me lloj-lloj shpifjesh kundër Kurtit, në një kohë kur Kosova ju akuzon dhe ua përmend edhe pseudonimet që keni pasur si agjentë të UDB-së. Jeni po ju mercenarët e kryeministrit Edi Rama, ashtu siç ishte edhe ajo tjetra nga Kosova, ish-drejtoresha e SHISH-it të Shqipërisë. Pra, këta janë ata të cilët janë injorantë të mëdhenj dhe, po ashtu, janë mercenarë që akuzojnë protestuesit në Shqipëri. Por të paktën kini ndjesi dhe keqardhje për atë se çfarë policia po u bën fëmijëve.
Të gjithë shqiptarët e dinë dhe janë ndërgjegjësuar se ky kryeministër ka dështuar rëndë, por pasojat e këtij dështimi, harxhet dhe kusuret do t’i paguajnë shtrenjtë shqiptarët. Si ka mundësi që kjo të ndodhë në Shqipëri, që për karrigen e kryeministrit ai nuk jep dorëheqje, por e ka zhytur Shqipërinë në këtë katastrofë?
Çfarë dialogu kërkon ai sot, çfarë problemi mund të zgjidhë ai, kur ai vetë është tërësisht edhe shkaku, edhe problemi, edhe kjo katastrofë?
Çfarë shpëtimtari mund të jetë ky, i mbytur në zullume, korrupsion, tradhti dhe, së fundi, me këtë dhimbje të tmerrshme që i ka shkaktuar rinisë shqiptare, studentëve dhe kombit shqiptar?







