Familjarët e personit të dyshuar për sulmin ndaj deputetes australiane Helen Haines kanë reaguar publikisht, duke e cilësuar ngjarjen si “shkatërruese dhe të pabesueshme”.
Babai i të dyshuarit, Rod Nugent, dhe partnerja e tij, Christine Cunningham, deklaruan se kanë qenë miq me deputeten Haines për më shumë se 20 vjet.
“Dëshirojmë të falënderojmë sinqerisht anëtarët e komunitetit lokal dhe policinë që i erdhën në ndihmë Helenit pas kësaj ngjarjeje tronditëse dhe të tmerrshme”, thuhet në deklaratën e tyre, raporton BBC.
Ata e përshkruan Haines si një person shumë të respektuar, të vlerësuar dhe të dashur nga komuniteti lokal, duke shprehur mbështetjen për të dhe familjarët e saj.
“E gjithë dashuria dhe mendimet tona janë me Helenin, familjen dhe miqtë e saj”, thuhet më tej në deklaratë.
I dyshuari është identifikuar nga mediat lokale si Brendan Nugent, 43 vjeç, një aktivist për çështjet mjedisore në qytetin e Wangaratta-s.
Familjarët shtuan se do të bashkëpunojnë me policinë e shtetit të Viktorias në çdo mënyrë të nevojshme për zbardhjen e rastit.Në anën tjetër, policia ka publikuar fotografinë e të dyshuarit.
Deputetja australiane vazhdon të jetë në gjendje kritike, pas operacionit urgjent që iu nënshtrua mbrëmjen e së hënës në spitalin Alfred në Melburn.
Sipas kryeministrit australian, Anthony Albanese, gjendja e saj ishte kritike, por e qëndrueshme.Ndërkohë, mediat lokale, përfshirë transmetuesin publik ABC, kanë raportuar se Haines ka humbur njërën këmbë si pasojë e sulmit të dyshuar të qëllimshëm.







