Ballina Politika Dash Sula nën sqetullën e Ramës: Mos protestoni, por qeverisni me PS...

Dash Sula nën sqetullën e Ramës: Mos protestoni, por qeverisni me PS (asnjë fjalë për inspektorët e tij që mbrojtën me hunj selinë rozë)

51
0

Ish-deputeti opozitar Dashnor Sula, sot i akomoduar në karrigen e Inspektorit të Përgjithshëm me ftesë direkte të Edi Ramës, ka thyer heshtjen pas tetë ditësh protestash masive në kryeqytet.

Përmes një reagimi të gjatë e të stërholluar, ai u është drejtuar qytetarëve me thirrje për “maturi”, ndërsa u është vënë me të gjitha fuqitë në dispozicion interesave të mazhorancës në pushtet.

Në fjalën e tij, Sula e vë theksin te shmangia e përplasjeve fizike dhe dënimi i dhunës në sheshe, duke i konsideruar aktet e revoltës si një rrezik që kthen vendin pas:
“Prandaj, kjo është një thirrje që më buron nga thellësia e shpirtit për të gjithë ata që janë në shesh: të shmangin dhunën, të mos lejojnë që zemërimi të marrë përmasa të pakontrollueshme dhe të mos e zëvendësojnë fuqinë e argumentit me akte brutale. Argumentet e qytetarëve kanë shumë më tepër peshë dhe zë sesa dhuna.”

Më tej, në përpjekje për të larë duart me të kaluarën e tij në opozitë dhe për të arsyetuar këtë kapërcim të bujshëm politik në krahët e kundërshtarit të djeshëm, Sula tentoi të shpjegojë moralin e postit të tij të ri nën sqetullën e Kryeministrit:

“Po, është e vërtetë se katër vite më parë kam protestuar edhe i vetëm në Parlament kundër problematikave të qeverisjes… Por, në një moment kur kontributi im politik nuk kishte më peshën që meritonte, kryeministri i vendit, kundërshtari im i dikurshëm politik, vlerësoi kredibilitetin tim dhe, duke vendosur interesin publik përpara ndasive politike, më besoi drejtimin e Inspektoratit të Përgjithshëm.”

Ai shton më tej se vendimin e tij e sheh si një mision për “ndërtimin e shtetit”, duke pretenduar se porosia e vetme e marrë nga Rama ka qenë “zbatimi i ligjit”.

Por pas moralizimeve patetike për paqe, shtetbërje dhe dialog, qëndron kostoja e karriges zyrtare.

Deklarata e Sulës mban erë servilizëm politik ndaj kryeministrit që e shpërbleu me post.

I kthyer tashmë në një mbrojtës të zellshëm të pushtetit rozë, ai u kërkon qytetarëve të ulin kokën e të braktisin protestën, duke harruar se deri dje mbante fjalime me të njëjtën retorikë kundër qeverisë nga e cila sot merr rrogën.

Ajo që bie më shumë në sy në këtë reagim të gjatë është heshtja e tij skandaloze për atë që ndodh brenda oborrit të tij institucional.

Në asnjë rresht të postimit në Facebook, Inspektori i Përgjithshëm nuk gjeti kurajën të thotë qoftë edhe një fjalë të vetme për akuzat më të rënda që rëndojnë mbi institucionin e tij.

Raportimet dhe denoncimet publike se personat që fshiheshin brenda selisë së Partisë Socialiste — dhe që dolën prej aty të armatosur me hunj druri për të sulmuar fizikisht protestuesit paqësorë — ishin pikërisht vartës të tij, pjesë e strukturave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT).

Për dhunën e pretenduar të protestuesve, Sula gjen fjalë e artikulon thirrje, por për “djemtë me hunj” të institucionit që ai vetë drejton dhe që dyshohet se u përdorën si gardë private e selisë rozë, Inspektori i Përgjithshëm zgjedh verbërinë e lehtëshme zyrtare.

Një tjetër dëshmi se kur vihesh në dispozicion të pushtetit për një karrige, parimet mbeten thjesht në letrën e hartimeve publike./vna