Ballina Sport Diçka e rrallë për Shqipërinë, por jo vetëm…

Diçka e rrallë për Shqipërinë, por jo vetëm…

45
0

Futbolli shqiptar po prodhon një histori të veçantë, që shkon përtej një emërimi të zakonshëm trajneri. Glen Daja u zyrtarizua sot në stolin e Elbasanit, ku do të zëvendësojë Ivan Gvozdenovic, i cili dha dorëheqjen. Kështu, ai largohet nga Dinamo City, ku ishte ndihmëstrajner dhe krahu i djathtë i babait të tij, Ilir Dajës, për të marrë përsipër drejtimin e verdhebluve.

Dhe pikërisht këtu nis veçantia e kësaj historie; babai dhe djali do të drejtojnë njëkohësisht dy skuadra të ndryshme në të njëjtin kampionat, Kategorinë Superiore!

Ilir Daja do të vazhdojë punën te Dinamo City, ndërsa Gleni nis aventurën e tij si kryetrajner i Elbasanit. Një ndarje rolesh që e shndërron marrëdhënien e tyre profesionale nga bashkëpunim në një përballje të mundshme, ku secili do të ketë objektivat dhe përgjegjësitë e veta.

Raste të ngjashme nuk mungojnë në futbollin europian, por zakonisht në një formë tjetër. Carlo Ancelotti, për shembull, ka pasur djalin e tij, Davide Ancelottin, si bashkëpunëtor në stafin teknik. E njëjta dinamikë ishte edhe te Dinamo City, ku Ilir Daja kishte në krah të djathtë të birin, Glenin. Por që babai dhe djali të drejtojnë si trajnerë të parë dy klube të ndryshme të së njëjtës ligë, kjo është një histori krejt tjetër.

Tashmë, marrëdhënia e tyre do të marrë një dimension të ri. Nga e njëjta anë e fushës, në të njëjtin staf teknik, ata kalojnë në dy stola të ndryshëm, me ambicie që mund të përplasen drejtpërdrejt gjatë sezonit.

Për Glen Dajën, eksperienca tek Elbasani përfaqëson një hap të rëndësishëm në karrierë dhe sprovë të vërtetë për të treguar vlerat e tij si kryetrajner, për herë të parë.

Për Ilir Dajën, nga ana tjetër, nis një situatë e pazakontë: të birin nuk do ta ketë më krah për krah, por përballë, si koleg dhe rival në garën e Superiores.

Në fund, mbiemri i përbashkët do të mbetet një lidhje familjare, por në fushë do të flasin rezultatet. Babë e bir, dy stola, dy skuadra dhe një kampionat i vetëm. Diçka vërtet unike!