Ballina Kuriozitete ​96% e shkëmbinjve koralë janë në rrezik të shkatërrohen

​96% e shkëmbinjve koralë janë në rrezik të shkatërrohen

102
0

Pothuajse të gjithë shkëmbinjtë koralë në ujëra të cekëta, përfshirë Barrierën e Madhe Korale të Australisë, përballen me një rrezik të lartë të kolapsit të ekosistemit para vitit 2075.

Kështu thuhet në vlerësimin më të fundit nga këshilltarët e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e natyrës.

Përafërsisht 24 për qind e shkëmbinjve koralë në botë, të shpërndarë në më shumë se 80 vende, konsiderohen tashmë si të rrezikuar në shkallë kritike. Kur merren parasysh ndikimet e parashikuara të ngrohjes globale, kjo shifër rritet në 96 për qind.

Të njohur si “pyjet tropikale të detit”, shkëmbinjtë koralë ofrojnë një habitat për një të katërtën e të gjitha specieve detare të njohura. Ata sigurojnë ushqim dhe mbrojtje bregdetare për qindra miliona njerëz, si dhe janë jetikë për industrinë e turizmit.

Vlerësimi analizoi gjendjen aktuale dhe kërcënimet e ardhshme për 127 rajone me shkëmbinj koralë. Puna u koordinua nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), një organizëm ndërkombëtar që këshillon Kombet e Bashkuara.

Analiza bazohet në një skenar të “mesëm” për emetimet e gazeve serrë, të cilat vijnë kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile. Një skenar i tillë do të çonte në një ngrohje globale prej rreth 2,7 gradë Celsius deri në fund të shekullit, krahasuar me epokën para-industriale.

Vlerësime të tjera tregojnë se politikat aktuale klimatike dhe objektivat e miratuara nga shtetet ka gjasa të rezultojnë në një ngrohje prej rreth 2,6 gradë Celsius.

Katër nga 17 rajonet e shkëmbinjve koralë të Australisë aktualisht konsiderohen tejet të rrezikuar. Pesë janë të rrezikuara dhe pesë të tjera klasifikohen si të prekshme. Megjithatë, të gjitha 17 rajonet, përfshirë Barrierën e Madhe Korale, kalojnë në kategorinë kritike të rrezikuar kur merren parasysh ndikimet e parashikuara të ndryshimeve klimatike.