Ballina Europë Tre viktima nga stuhitë dhe përmbytjet në Francë, qindra banorë evakuohen nga...

Tre viktima nga stuhitë dhe përmbytjet në Francë, qindra banorë evakuohen nga banesat

35
0

Të paktën tre persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhive të fuqishme dhe përmbytjeve që goditën jugun e Francës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme serioze në transport dhe telekomunikacion.

Bilanci tragjik u konfirmua të mërkurën në mbrëmje, më 21 tetor 2026, nga autoritetet lokale në departamentin Bouches-du-Rhône, një nga zonat më të prekura nga moti i keq. Ndërkohë, qindra banorë janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Sipas gazetës franceze La Provence, e cila citon zyrtarë lokalë, dy gra, përkatësisht 86 dhe 26 vjeçe, u gjetën të mbytura në një bodrum në komunën Lançon-Provence, pasi ujërat e përmbytjes depërtuan në ambientet ku ndodheshin.

Viktima e tretë është një burrë 75-vjeçar në zonën e Saint-Mitre-les-Remparts, i cili dyshohet se u rrëmbye nga rrjedhat e fuqishme të ujit. Trupi i tij u gjet më vonë në komunën fqinje të Istres.

Përmbytjet kanë detyruar rreth 250 persona të strehohen përkohësisht në ambiente të posaçme në zonat e Arles dhe Saint-Martin-de-Crau, ndërsa autoritetet vijojnë të vlerësojnë situatën dhe rreziqet për banorët.

Reshjet e dendura dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë, duke përmbytur rrugë dhe duke ndërprerë shërbime hekurudhore në disa zona.

Probleme janë raportuar edhe në Korsikë, ku përmbytjet kanë ndikuar në qarkullimin e trenave mes Bastias dhe Corte, ndërsa janë raportuar edhe anulime fluturimesh nga aeroporti i Bastias.