Ballina Europë Liderja e opozitës venezueliane në mërgim, María Corina Machado, rikthehet në Venezuelë

Liderja e opozitës venezueliane në mërgim, María Corina Machado, rikthehet në Venezuelë

29
0

Liderja e opozitës në Venezuelë, María Corina Machado, njoftoi se është rikthyer në vend, gati një vit pasi u largua për të marrë Çmimin Nobel për Paqen. “Jam këtu. Bashkë me ju”, shkroi ajo të dielën në mesditë në platformën X. Aleati i saj i ngushtë, Edmundo González, i cili ndodhet në mërgim, konfirmoi mbërritjen e saj, sipas gazetës The Guardian.

“Venezuelë! Me shumë gëzim ju njoftoj se liderja jonë, e dashura ime María Corina, ndodhet në territorin venezuelian”, shkroi ai në rrjetet sociale.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për venezuelianët. Zëri ynë sovran rikthehet bashkë me të, për të udhëhequr dhe orientuar këtë proces!”, shtoi González, duke bërë të ditur se edhe ai do të kthehet së shpejti në vend.

Nuk ishte menjëherë e qartë se si 59-vjeçarja Machado arriti të rikthehej në Venezuelë. Megjithatë, në videot e publikuara në rrjetet sociale, ajo shfaqej në Barquisimeto, kryeqyteti i shtetit Lara, rreth 350 kilometra në perëndim të Karakasit.

Në pamjet e publikuara, Machado shfaqet e rrethuar nga mbështetësit e saj, të cilët mbajnë telefona celularë, brenda një kishe të njohur si Shenjtërorja e Bariut Hyjnor.

Sipas raportimeve, administrata e Donald Trump kishte shprehur kundërshtimin ndaj rikthimit të Machados në Venezuelë, me argumentin se prania e saj mund të ndërlikonte marrëdhëniet e ngushta që Uashingtoni ka krijuar me presidenten e përkohshme të vendit, Delcy Rodríguez.

Rodríguez mori drejtimin e vendit pas kapjes së ish-shefit të saj dhe presidentit venezuelian, Nicolás Maduro, në janar. Machado dhe Rodríguez janë kundërshtare politike, me dallime të thella ideologjike.

Machado u largua fshehurazi nga Venezuela dhjetorin e kaluar, disa javë para arrestimit të Maduros. Gjatë muajve të fundit, sipas raportimeve, ajo kishte tentuar më shumë se gjashtë herë të kthehej në vend, por pa sukses. Këto përpjekje kishin vijuar edhe pas tërmetit shkatërrues që goditi bregdetin verior të Venezuelës në qershor.

Pas largimit të Maduros nga pushteti, shumëkush priste që Trump t’i jepte Machados dritën jeshile për të marrë drejtimin e vendit. Lëvizja e saj konsiderohet gjerësisht se kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, por Maduro refuzoi të dorëzonte pushtetin.

Në vend që të mbështeste Machadon, Trump zgjodhi të bashkëpunonte me Rodríguez, ish-zëvendëspresidenten e Maduros, e cila tashmë qeveris një vend që, sipas vlerësimeve të përhapura, ndodhet nën ndikimin e Shteteve të Bashkuara.