Ka ndërruar jetë këngëtari, kompozitori dhe producenti i njohur shqiptar, Eroll Jakupi, i cili la gjurmë në muzikën shqiptare me krijimet e tij dhe këngët që u bënë hite.
Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga miqtë e tij, ndërsa ndarjen nga jeta e artistit e ka bërë të ditur edhe dirigjenti Emrush Thaçi, përmes një postimi prekës.
“Maestro ishte në tokë, e maestro mbetesh edhe në qiell! U takofshim në xhenet”, ka shkruar Thaçi, duke shprehur dhimbjen për humbjen e mikut të tij.
Eroll Jakupi ishte autor i disa këngëve të njohura të muzikës shqiptare, ndër të cilat “Vetëm pesë minuta”, “Nuk është ashtu” dhe “Qind për qind”, të cilat u pëlqyen nga publiku.
Përveç angazhimit të tij si këngëtar, kompozitor dhe producent, Jakupi ishte edhe pjesë e grupit muzikor “Hareja” nga Shkupi, duke kontribuar në zhvillimin dhe pasurimin e muzikës shqiptare.
Ndarja e tij nga jeta shënon një humbje për komunitetin muzikor shqiptar, ndërsa krijimtaria e tij do të mbetet pjesë e kujtesës së publikut që e vlerësoi ndër vite.







