Pas shumë ditësh pushim, me justifikimin e protestave dhe situatës së krijuar në vend, Kuvendi i Shqipërisë i është rikthyer këtë të hënë punës në komisionet parlamentare.
Dhe jo me një axhendë dosido.
Dita parashikon një seri mbledhjesh të komisioneve parlamentare, me një axhendë të ngjeshur dhe një paketë projektligjesh që prekin financat publike, biznesin, sistemin financiar dhe konsumatorët.
Ndër nismat me më shumë peshë është projektligji për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon krijimin e një institucioni të pavarur për monitorimin e politikave fiskale, borxhit, deficitit dhe parashikimeve ekonomike të qeverisë.
Paralelisht, në disa komisione kalon një paketë ndryshimesh që prek drejtpërdrejt biznesin: Qendrën Kombëtare të Biznesit, regjistrimin e biznesit dhe funksionimin e shoqërive tregtare. Në axhendë është edhe projektligji për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të kompanive.
Po ashtu diskutohet projektligji i ri për mbrojtjen e konsumatorit, ndërhyrje në ligjin për akcizat, mbikëqyrja e konglomerateve financiare, si dhe marrëveshje financiare që lidhen me energjinë dhe konviktet universitare.
Pra, një ditë ku në tavolinë nuk janë vetëm procedura parlamentare, por ligje që nesër prekin drejtpërdrejt qytetarët, bizneset dhe mënyrën se si kontrollohen financat e shtetit. E gjithë kjo axhendë e rëndësishme, megjithatë, po diskutohet kryesisht mes socialistëve.
Partia Demokratike ka zgjedhur sërish atë që prej vitesh është kthyer në një prej armëve të saj të preferuara politike: bojkotin. A luftohet mazhoranca duke i lënë asaj bosh karriget përballë?
Sepse detyra e një deputeti nuk është vetëm të protestojë jashtë Parlamentit. Është edhe të jetë brenda tij. Të lexojë projektligjet, të kërkojë shpjegime dhe, mbi të gjitha, të detyrojë qeverinë të japë llogari publikisht.
Pikërisht komisionet parlamentare janë vendi ku një opozitë mund të bëjë këtë punë në mënyrë konkrete. Në rastin e Këshillit Fiskal, për shembull, ka pyetje që meritojnë debat: sa i pavarur do të jetë institucioni që do të monitorojë financat e qeverisë? Si do të zgjidhen anëtarët e tij? Çfarë fuqie reale do të ketë përballë ekzekutivit?
Te ligjet për biznesin, pyetjet janë të tjera. Çfarë ndryshon për sipërmarrësit? A shtohen apo lehtësohen procedurat? Çfarë garancish krijohen? Ndërsa te mbrojtja e konsumatorit, debati prek drejtpërdrejt qytetarin.
PS e ka shumicën. Këtë opozita nuk mund ta ndryshojë duke hyrë në komision. Por mund ta detyrojë mazhorancën të argumentojë, të përgjigjet, të përballet me kundërshtime dhe të marrë mbi vete publikisht përgjegjësinë për çdo ligj që miraton.
Me karriget bosh, as këtë nuk ia kërkon.
Në fund, bojkoti mund të jetë një qëndrim politik. Por mandati i deputetit nuk është vetëm një qëndrim politik. Është edhe një detyrë parlamentare. Dhe kur në tavolinë vendosen ligje që prekin financat e shtetit, bizneset dhe qytetarët, pyetja nuk është vetëm pse PD është e zemëruar me PS-në.
Pyetja është shumë më e thjeshtë: kush do t’ia bëjë qeverisë pyetjet, nëse opozita zgjedh të mos jetë aty?/vna







