Ballina Sport Një emër që pak e kujtojnë, ky është shqiptari i parë që...

Një emër që pak e kujtojnë, ky është shqiptari i parë që u nominua për Topin e Artë

45
0

Shqipëria ka pasur një përfaqësues në historinë e “Topit të Artë” shumë vite para se lojtari me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka të merrte vëmendjen e botës së futbollit.

Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, Sokol Kushta, ishte përfshirë në listën e kandidatëve për “Topin e Artë” në vitin 1987, duke u bërë emri i parë shqiptar që figuron në historinë e këtij çmimi prestigjioz.

Në atë kohë, Kushta ishte pjesë e Flamurtarit të Vlorës, skuadër që kishte bërë bujë në futbollin evropian me paraqitjet e saj në garat kontinentale.

Sulmuesi shqiptar arriti të fitonte vëmendjen edhe në nivel individual, duke u përfshirë mes kandidatëve për çmimin që ndahet nga revista franceze “France Football”.

Kushta e përfundoi votimin në vendin e 30-të, me një pikë, por rëndësia e kësaj arritjeje shkon përtej shifrave.

Ai hapi një kapitull të veçantë për futbollin shqiptar, në një kohë kur lojtarët nga Shqipëria kishin shumë më pak mundësi për t’u vënë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Plot 37 vjet më vonë, në vitin 2024, një tjetër futbollist me origjinë shqiptare u bë pjesë e kësaj liste.

Granit Xhaka, pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Bayer Leverkusenin, u nominua për Topin e Artë dhe përfundoi në vendin e 16-të, me 60 pikë.

Megjithatë, historia e shqiptarëve në këtë çmim nuk nis me Xhakën.

Ajo nis me Sokol Kushtën, i cili në vitin 1987 arriti të futej mes kandidatëve për një nga vlerësimet më prestigjioze në futbollin botëror.

Një arritje që, edhe sot, meriton të kujtohet si pjesë e historisë së futbollit shqiptar.

Sokol Kushta përveç Partizanit e Flamurtarit në Shqipëri gjatë karrierës së tij kishte luajtur edhe për Iraklis e Kalamaria (Greqi) dhe Olympiakos e Ethnikos (Qipro).

Për kombëtaren kuqezi ai luajti 31 ndeshje, duke shënuar 11 gola.

Fituesi aktual i “Topit të Artë” është Ousmane Dembele i Paris Saint-Germainit, i cili e fitoi këtë çmim, pas fitimit të tripletës me klubin francez, duke qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës.