Ballina Politika ‘Bojkoti i universiteteve është i papranueshëm’, Rama sfidon studentët: Do të ndërhyjmë...

‘Bojkoti i universiteteve është i papranueshëm’, Rama sfidon studentët: Do të ndërhyjmë në ligj!

30
0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj bojkotit të mësimit në universitete, duke e cilësuar atë të papranueshëm dhe paralajmëruar ndërhyrje në ligjin përkatës. Në një deklaratë, Rama kundërshtoi bojkotin nga studentët dhe një pjesë e pedagogëve, duke argumentuar se liria e protestës është e ndryshme nga imponimi ndaj atyre që duan të zhvillojnë mësimin.

Kreu i qeverisë u shpreh se nuk e njeh gjuhën e forcës dhe të imponimit, ndërsa u bëri thirrje studentëve dhe pedagogëve që të ulen në dialog me qeverinë. Ai solli në vëmendje edhe protestat studentore të vitit 2018, duke pretenduar se edhe atëherë u deshën disa javë për të arritur te dialogu.

Rama kritikoi gjithashtu protestuesit që kundërshtojnë dialogun, duke thënë se në fjalimet e tyre nuk ka dëgjuar vizion apo ide. Ai deklaroi se është i gatshëm të zhvillojë bisedime kurdo dhe kudo, për të diskutuar propozimet që studentët dhe pedagogët mendojnë se mund të përmirësojnë situatën.

“I papranueshëm bojkoti i studentëve dhe akoma më nga një pjesë e pedagogëve, individëve të politizuar, zë që kanë për herë të parë. Do të ndërhyjmë në ligjin përkatës, pasi tjetër gjë është liria e protestës dhe tjetër gjë është imponimi mbi ata që duan të bëjnë mësim.

Dua të ndaj me shqiptarët disa të vërteta. I di vështirësitë e shumë prej jush nga kostoja e jetesës. S’dua të bëj krahasime, por dua të jem i sinqertë me ju. Gjuhën e forcës, të imponimit nuk e njoh. Civilizimin europian, traditën e shqiptarit të radhës në të folur, s’i negocioj me askënd.

Kur isha pedagog i ri, u rebelova nga një regjim, pasi doja dialog të lirë dhe jo dhunë të verbër. Mbi vazhdën e atij rebelimi, studentët u ulën në dialog. E ulën në dialog presidentin komunist dhe nga aty mori jetë demokracia. I kam shkruar edhe letra për dialog kryeministrit të asaj kohe.

Edhe në 2018 u deshën disa javë për t’u ulur në dialog, pasi ishte faji i atyre pedagogëve apo disa qorrave neokomunistë. ‘Bëj si themi ne, ose do të thyejmë dynjanë’, nuk ka. Ejani të ulemi, kur të doni dhe ku të doni, për ato që ju mendoni se do të bëj më mirë. Mos e hani më atë teorinë ileqare që ua përsërisin ata të keqkuptuarit që morën gurët. Unë i dëgjova ata më shumë se askush tjetër, se i kisha përballë aty. Unë isha në zyrë duke punuar. Kryefjala e tyre ishte: ‘Nuk ka dialog’. I mësova përmendësh edhe fjalimet e tyre. Vizion dhe ide në ato fjalime nuk dëgjova.”, tha Rama.