Ballina Aktualitet U akuzua se përvetësoi fondet e protestës, reagon aktivisti: Publikon transfertat dhe...

U akuzua se përvetësoi fondet e protestës, reagon aktivisti: Publikon transfertat dhe llogaritë e GoFundMe

57
0

Aktivisti Jurgen Shpërdhesa ka reaguar pas akuzave të ngritura në rrjetet sociale për mënyrën se si janë përdorur fondet e mbledhura përmes GoFundMe në mbështetje të protestave kundër qeverisë.

Përmes një postimi në Instagram, Shpërdhesa ka publikuar shifrat e mbledhjes së fondeve, disa transferta bankare dhe biseda në WhatsApp, duke pretenduar se po bën transparencë të plotë për mënyrën se si janë përdorur paratë.

Sipas pamjeve të publikuara prej tij, përmes GoFundMe janë mbledhur në total 5,698.09 dollarë. Nga kjo shumë, 5,162.52 dollarë rezultojnë të transferuar, 355.09 dollarë ishin ende në proces, ndërsa 180.48 dollarë figurojnë si tarifa të platformës.

Shpërdhesa thotë se, sipas kursit të këmbimit, fondet e disponueshme për të kanë qenë rreth 5,120 euro.

Prej kësaj shume, ai deklaron se ka shpenzuar 500 euro gjatë një qëndrimi dyditor në Bruksel, ku kishte protestuar përpara Parlamentit Europian, duke përfshirë edhe një fluturim të anuluar drejt Tiranës.

Sipas llogarisë së publikuar prej tij, pas këtij shpenzimi mbetën 4,620 euro.

Shpërdhesa pretendon më tej se më 23 tetor ka shpërndarë rreth 1,860 euro për disa persona që, sipas tij, ndodheshin “në vijë të parë duke luftuar me policinë”. Për të mbështetur këtë pretendim, ai ka publikuar edhe pamje të tre transfertave, me vlera 500, 501 dhe 863 euro, ndërsa emrat e përfituesve janë mbuluar “për arsye sigurie”.

Pas këtyre pagesave, ai thotë se i kishin mbetur 2,760 euro.

Nga kjo shumë, Shpërdhesa deklaron se i ka dhuruar 1,000 euro një djali me status jetimi, të cilin thotë se e ka identifikuar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale. Në postim është publikuar edhe një transfertë prej 1,000 eurosh në favor të një personi tjetër, si dhe një bisedë në WhatsApp lidhur me pagesën.

Pas kësaj, sipas tij, mbetën 1,760 euro.

Shpërdhesa thotë se nga kjo shumë duhet zbritur edhe ekuivalenti i 355 dollarëve që ende nuk i kishin mbërritur nga GoFundMe, duke e çuar shumën që pretendon se ka aktualisht rezervë në rreth 1,442 euro.

“Këto nuk preken deri në një njoftim të dytë”, shkruan ai.

Postimi i aktivistit vjen pasi gjatë ditës u publikuan akuza se fonde të mbledhura në emër të protestës përmes GoFundMe mund të ishin përvetësuar nga persona të përfshirë në organizimin ose mbështetjen e saj.

Dokumentet e publikuara nga Shpërdhesa përbëjnë versionin e tij mbi përdorimin e fondeve. Nga pamjet e bëra publike nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur identiteti i të gjithë përfituesve apo qëllimi përfundimtar i çdo pagese.

Në shifrat e publikuara prej tij ka gjithashtu një diferencë të vogël: Shpërdhesa deklaron se ka shpërndarë 1,860 euro më 23 tetor, ndërsa tre transfertat e shfaqura në postime janë për 500, 501 dhe 863 euro, pra gjithsej 1,864 euro.