Ballina Aktualitet Ndryshohet sistemi/ 5 mijë kamera trupi për policinë, nis nga efektivët e...

Ndryshohet sistemi/ 5 mijë kamera trupi për policinë, nis nga efektivët e rrugores, më pas edhe për protestat

53
0

Në një moment ku policia është angazhuar në protesta ku janë shënuar dhe përplasje të forta, rreth 5 mijë kamera trupi (Body Cam) kanë mbërritur në Shqipëri dhe pritet të shpërndahen në të gjitha drejtoritë vendore të forcave të rendit.

Procesi do të nisë fillimisht në Tiranë, ku do të paisen efektivët e Policisë Rrugore që duhet ti mbajnë gjatë gjithë kohës së shërbimit. Më pas, procesi do të vijojë në strukturat e tjera të bluve.

Një nga veçoritë kryesore të këtij sistemi është se kamerat do të mund të kontrollohen drejtpërdrejt nga Sallat Operative të Policisë. Kjo do të thotë se ato mund të aktivizohen dhe të monitorohen prej aty. Sipas mënyrës së funksionimit të parashikuar, efektivët nuk do të kenë mundësi të ndërhyjnë në regjistrimin e pamjeve apo t’i fshijnë ato.

Ky mekanizëm synon të rrisë transparencën gjatë ushtrimit të detyrës nga punonjësit e Policisë, si dhe të parandalojë rastet e korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe ndërhyrjeve të paligjshme policore.

Megjithatë kamerat nuk do të jenë në dispozicion gjatë protestës së të shtunës, por në dispozicion do ti kenë në tubimet e tjera.

Pajisja e të gjitha strukturave policore me këtë teknologji pritet të përbëjë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e monitorimit dhe kontrollit të punës së efektivëve në terren, madje edhe gjatë protestave.

Vendosja e kamerave të trupit pritet të shërbejë gjithashtu si një mekanizëm kontrolli dhe dokumentimi për çdo ndërveprim mes efektivëve të Policisë dhe qytetarëve, duke krijuar një gjurmë filmike të veprimeve të kryera gjatë shërbimit.