Një vajzë vetëm 8 vjeçe është plagosur rëndë pas një sulmi nga ujqërit në një park të kafshëve të egra në Gjermani. Ngjarja e rëndë ndodhi në parkun Johannismühle, në Baruth/Mark, në landin e Brandenburgut, në jug të Berlinit.
Sipas policisë, në momentin e sulmit, vajza ndodhej brenda një hapësire të rrethuar, së bashku me një punonjës të parkut dhe dy fëmijë të tjerë. Për shkaqet dhe rrethanat e sakta të incidentit ka nisur një hetim policor.
E mitura pësoi plagë të rënda në kokë dhe u transportua me helikopter drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Fatmirësisht, dy fëmijët e tjerë dhe punonjësi që ndodheshin në vendngjarje nuk pësuan lëndime.
Sipas raportimeve të gazetës gjermane Bild, sulmi ndodhi përpara orarit zyrtar të hapjes së parkut, në orën 10:00, dhe dyshohet se vajza mund të ketë qenë pjesë e një vizite të posaçme.
Parku Johannismühle organizon vizita në grupe të vogla, gjatë të cilave vizitorët mund të afrohen me disa prej kafshëve, përfshirë ushqyerjen e ujqërve. Pas incidentit, autoritetet vendosën mbylljen e përkohshme të parkut, i cili, sipas njoftimit në faqen zyrtare, pritet të rihapet më 2 nëntor.
Në këtë park mbahen ujqër gri dhe arktikë, arinj të murrmë, rrëqebuj dhe disa lloje të tjera kafshësh të egra. Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te siguria e vizitorëve në parqet zoologjike dhe ato të kafshëve të egra në Evropë, pas një serie incidentesh të ngjashme të raportuara në vende të ndryshme të kontinentit.







