Ballina Aktualitet Kush është Dolores Kraja, vajza e ish-të burgosurit politik që u përball...

Kush është Dolores Kraja, vajza e ish-të burgosurit politik që u përball me deputetët e PD-së në protestë?

44
0

Dolores Kraja, shkodrania që prej 30 vitesh jeton në Gjermani, u bë pjesë e debateve gjatë protestës së 31 tetorit në Tiranë, pasi kundërshtoi praninë e deputetëve të Partisë Demokratike, duke kërkuar që protesta e studentëve të mos instrumentalizohej politikisht.

Qëndrimi i saj nxiti reagime dhe etiketime në rrjetet sociale, ku u akuzua si marksiste dhe mbështetëse e Arlind Qorrit. Por pas emrit të Dolores Krajës qëndron historia e një familjeje të persekutuar nga diktatura komuniste.

Ajo është vajza e Ernesto Krajës, ish-i burgosur politik dhe pjesëmarrës në lëvizjen antikomuniste pas vitit 1990. I lindur në Shkodër më 1925, ai u dënua tri herë nga regjimi komunist, në vitet 1952, 1978 dhe 1979, duke kaluar vite të gjata në burg.

Ernesto Kraja ishte pjesë e procesit të montuar në burgun e Spaçit, ku u dënuan edhe Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, të cilët më pas u ekzekutuan. Në dokumentarin “Dosja K”, Dolores ka rrëfyer torturat e rënda që përjetoi babai i saj gjatë hetuesisë, deri në dy tentativa për vetëvrasje.

Edhe emri Dolores, që lidhet me fjalën “dhimbje”, ishte zgjedhur nga i ati pas daljes nga burgimi i parë, si simbol i vuajtjeve të tij.

Megjithëse prej dekadash jeton në Gjermani, Dolores vazhdon të marrë pjesë në protesta në Shqipëri. Në intervista të mëparshme ajo ka kërkuar largimin si të Edi Ramës, ashtu edhe të Sali Berishës, duke theksuar se nuk përfaqëson asnjë parti politike.

Babai i Dolores Krajës kaloi vite në burg për të drejtën për të menduar ndryshe. Tridhjetë e gjashtë vjet pas rënies së komunizmit, e bija gjendet përballë një tjetër forme intolerance: duhet të mbrohet nga etiketimet politike vetëm sepse nuk pranon që deputetët e një partie të flasin në emër të protestës së saj./vna