Oslo, Zyrihu, Amsterdami dhe Rejkjaviku janë ndër qytetet europiane më të sigurta për udhëtarët në vitin 2027, sipas renditjes vjetore të publikuar më 28 tetor 2026, bazuar në përvojat e turistëve amerikanë dhe indekset ndërkombëtare të sigurisë.
Kryeqyteti norvegjez, Oslo, ka shënuar një nga përmirësimet më të mëdha, duke u ngjitur në vendin e gjashtë në botë, nga pozicioni i 17-të që mbante një vit më parë.
Zyrihu renditet i dyti, duke fituar një pozicion krahasuar me vitin 2026, ndërsa Amsterdami është ngjitur nga vendi i katërt në të tretin.
Rejkjaviku, kryeqyteti i Islandës, që kryesonte renditjen në vitin 2026, ka zbritur në vendin e pestë.
Ndërkohë, Kopenhagen ka regjistruar një nga rëniet më të mëdha mes qyteteve europiane, duke kaluar nga vendi i dytë në të 12-in. Kryeqyteti danez kishte mbajtur pozicionin e dytë për dy vite radhazi, në 2025 dhe 2026.
Në listën e 15 qyteteve më të sigurta përfshihen edhe Venecia, në vendin e tetë, Dublini në vendin e 11-të, Barcelona në të 13-in dhe Parisi në vendin e 15-të.
Ndërkohë, Berlini ka vijuar rënien në klasifikim, duke zbritur në vendin e 26-të në vitin 2027, nga vendi i nëntë që mbante në 2025.
Edhe Londra dhe Lisbona, që një vit më parë renditeshin përkatësisht në vendin e 13-të dhe të tetë, nuk figurojnë më në 15-shen e parë.
Në nivel global, ndryshimi më i madh është regjistruar nga Montreali në Kanada, i cili është shpallur qyteti më i sigurt për udhëtarët në vitin 2027.
Montreali është ngjitur nga vendi i 16-të në vitin 2026 në krye të klasifikimit. Në vitin 2025 renditej i gjashti.
Autorët e studimit theksojnë se renditja e vitit 2027 ka pasur luhatje të pazakonta, megjithëse ndryshimet e pozicioneve janë të zakonshme nga një vit në tjetrin.
Renditja e 15 qyteteve më të sigurta në botë për vitin 2027
Montreal, Kanada
Zyrih, Zvicër
Amsterdam, Holandë
Tokio, Japoni
Rejkjavik, Islandë
Oslo, Norvegji
Singapor
Venecia, Itali
Sidnej, Australi
Honolulu, SHBA
Dublin, Irlandë
Kopenhagë, Danimarkë
Barcelonë, Spanjë
San Francisko, SHBA
Paris, Francë
Si është realizuar studimi
Renditja është pjesë e një studimi vjetor mbi perceptimin e sigurisë nga udhëtarët amerikanë. Fillimisht janë përzgjedhur 38 qytete ndër destiacionet më të frekuentuara prej tyre.
Më pas janë anketuar mbi 1,500 persona, të cilët kanë vlerësuar sigurinë vetëm në qytetet që kishin vizituar personalisht, duke u mbështetur në përvojat e tyre të drejtpërdrejta.
Rezultatet e anketës janë kombinuar me indekset e sigurisë së Numbeo dhe The Economist, si dhe me vlerësimet e GeoSure Global.
Treguesit janë peshuar për të përcaktuar renditjen përfundimtare të qyteteve. / Forbes, BHTP/ Monitor







