Ballina Kulturë ‘Shtëpia’ sjell Bujar Asqeriun dhe Vefi Redhin në skenën e Vlorës, premiera...

‘Shtëpia’ sjell Bujar Asqeriun dhe Vefi Redhin në skenën e Vlorës, premiera duartrokitet nga publiku

39
0

“Shtëpia” është premiera më e re që ka ngjitur në skenën e Teatrit “Petro Marko” në Vlorë emra të njohur të aktrimit shqiptar, si Bujar Asqeriu, Vefi Redhi, Roland Minga dhe artistë të tjerë, nën regjinë e kosovarit Naser Shatrolli. Shfaqja, e cila trajton përmes një komedie alegorike lidhjen mes emigracionit, identitetit dhe vendlindjes, është pritur me interes dhe duartrokitje nga publiku vlonjat.

“Shtëpia”, premiera më e re që ngjitet në skenën e Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, u prezantua për publikun mbrëmjen e së premtes. Përmes kësaj vepre, regjisori kosovar Naser Shatrolli solli në skenën vlonjate një kast aktorësh të njohur, mes tyre Bujar Asqeriu, Vefi Redhi, Roland Minga, Ermir Hoxhaj, Artan Islami e të tjerë.

Një rikthim i veçantë në këtë shfaqje është ai i aktores Vefi Redhi, e cila pas shumë vitesh aktiviteti artistik në Greqi rikthehet në skenën shqiptare. Pjesë e kastit është edhe një prej emrave më të mëdhenj të artit shqiptar, aktori Bujar Asqeriu.

Pas shfaqjes, regjisori Naser Shatrolli u shpreh i kënaqur për pritjen që vepra mori në qytetin e Vlorës.Edhe për aktorët, kjo shfaqje kishte një domethënie të veçantë, pasi përfaqësonte një rikthim në skenën e qytetit të tyre, përballë një publiku që e vlerëson dhe e kërkon teatrin.Premiera u prit me interes nga artdashësit vlonjatë, të cilët në përfundim të shfaqjes e shpërblyen trupën artistike me duartrokitje të gjata.

“Shtëpia” është një komedi alegorike, e cila trajton në thelb temën e shtëpisë, duke eksploruar lidhjet filozofike dhe identitare mes emigracionit dhe vendlindjes. Shfaqja do të vijojë të ngjitet në skenën e Teatrit “Petro Marko”, duke u dhënë mundësi artdashësve vlonjatë ta ndjekin këtë premierë edhe gjatë fundjavës.