Ballina Aktualitet Lamtumirë profesor Saimir Vishaj! Një kujtim nga student dhe nga salla e...

Lamtumirë profesor Saimir Vishaj! Një kujtim nga student dhe nga salla e gjyqit

262
0

Nga Klevi Elezi 

Ka njerëz që i njeh përmes librave, njerëz që i njeh përmes profesionit dhe njerëz që, edhe pas një takimi të shkurtër, të lënë një mbresë që nuk shuhet lehtë.

Saimir Vishaj ishte një prej tyre.

Si student, pata mundësinë ta njihja profesor Saimir Vishajn. Më vonë, rrugët tona u kryqëzuan edhe në dy seanca gjyqësore, ku pata mundësinë ta shihja nga afër në një tjetër dimension: jo vetëm si pedagog, por si avokat, si profesionist dhe si njeri që e njihte mirë peshën e drejtësisë.

Në auditor, profesori përcillte dijen dhe përvojën e tij. Në sallën e gjyqit, shfaqej avokati me karakterin e tij të fortë, me fjalën e drejtpërdrejtë dhe me bindjen se drejtësia kërkon njerëz që nuk dorëzohen lehtë.

Sot, lajmi i ndarjes së tij nga jeta, në moshën 60-vjeçare, më prek jo vetëm si një ish-student, por edhe si dikush që pati mundësinë ta njihte përtej emrit të njohur në botën juridike.

Saimiri ishte avokat, profesor, mik i gazetarëve dhe një figurë që nuk kalonte pa lënë gjurmë. Një njeri që e jetoi profesionin me pasion dhe që, përmes fjalës së tij, shpesh i dha zë çështjeve që kërkonin vëmendje publike.

Por, përtej profesionit, ai ishte baba i Salvit dhe Kleit, gjysh i Greit, vëlla, bir, mik dhe njeri me betejat e veta.

Menduam se ia doli. Se e kishte fituar edhe një herë luftën me sëmundjen. Se pas gjithë asaj vuajtjeje, pas terapive dhe përpjekjeve të gjata, jeta i kishte dhënë një tjetër mundësi.

Ndoshta pikërisht kjo është ajo që e bën ikjen e tij edhe më të dhimbshme.

Sepse Saimiri na kishte treguar se njeriu mund të rrëzohet, të përballet me dhimbjen, të kalojë nëpër errësirë, por sërish të gjejë forcën për t’u ngritur.

Dhe në fund, ajo që mbetet nuk është vetëm karriera, titujt apo betejat e fituara. Mbetet mënyra se si ke ndikuar te njerëzit që ke takuar gjatë rrugës.

Unë do ta kujtoj si profesorin që pata në auditor, si avokatin që pashë në dy seanca gjyqësore dhe si një njeri që, edhe në një njohje jo të gjatë, arriti të linte një mbresë.

Lamtumirë, profesor Saimir!

U prehsh në paqe. Bashkohu me motrën Eve, të cilën e deshe aq shumë, dhe me prindërit e tu.

Ngushëllime të sinqerta familjes, fëmijëve, nipit Grei, miqve, kolegëve dhe gjithë atyre që patën fatin të të njohin.

Disa njerëz largohen nga kjo jetë, por nuk largohen nga kujtimi ynë.

Lamtumirë, profesor!