Ballina Politika Pazari 5-miliardë i naftës: Rama përgatit kalimin e “Bankers” te izraelitët e...

Pazari 5-miliardë i naftës: Rama përgatit kalimin e “Bankers” te izraelitët e “Delek”

45
0

Arrestimet u mbyllën, llogaritë nuk u sekuestruan dhe hetimi ra në heshtje. Sipas burimeve të “Pamfletit”, kinezët do të dorëzojnë Patos-Marinzën në vitin 2027, në këmbim të faljes së detyrimeve dhe mbylljes së dosjes penale.

Në qershor 2025, pas 21 vitesh gjatë të cilave “Bankers Petroleum” dyshohet se kreu abuzime pa u ndëshkuar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e kallëzoi kompaninë në Prokurorinë e Fierit. Kallëzimi fliste për një dëm prej 5 miliardë eurosh, të shkaktuar përmes evazionit fiskal, dokumenteve tatimore dhe doganore të falsifikuara, bilanceve dhe kontratave të rreme, si dhe pagesave fiktive.

Dy javë pas kallëzimit, më 5 korrik 2025, prokuroria njoftoi se kishte kryer veprimet hetimore dhe kishte arrestuar administratorin kinez të “Bankers”, Hongping Xiao. Çështja mbeti pezull deri më 5 tetor 2025, kur prokuroria ia kaloi për kompetencë SPAK-ut.

Hongping Xiao u lirua më 7 janar 2026. Autoritetet nuk i sekuestruan llogaritë e “Bankers”, megjithëse kallëzimi pretendonte një dëm prej 5 miliardë eurosh. Ato nuk vendosën nën sekuestro as aktivitetin koncesionar, ndonëse puset dhe burimet nëntokësore janë pronë e shtetit shqiptar.

Në pamje të parë, gjithçka ngjan me një procedurë penale rutinë. Pas hetimeve, arrestimeve, lirimeve të shpejta dhe mungesës së sekuestros financiare e koncesionare, sipas informacioneve të “Pamfletit”, qëndron një skenar i rakorduar nga kryeministri Edi Rama për ta kaluar koncesionin e “Bankers” në duart e grupit izraelit “Delek”.

Pazari dyshohet se nisi në dhjetor 2015. Gjatë një vizite në Izrael, Edi Rama deklaroi se qeveria shqiptare kishte arritur një marrëveshje me kompaninë “Navitas Petroleum Limited”, të lidhur në atë periudhë me grupin “Delek”, për kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës e të gazit në Shqipëri.

Dokumentet zyrtare tregojnë se më 5 gusht 2015, pesë muaj përpara deklaratës së Ramës në Izrael, autoritetet shqiptare i kishin dhënë grupit “Delek” të drejtën për zonën naftëmbajtëse dhe gazmbajtëse të Dumresë. Në dhjetor 2019, kjo e drejtë i kaloi kompanisë italiane “ENI”.

Në mars 2016, sipas burimeve të “Pamfletit”, Edi Rama dhe koncesionarët kanadezë ranë dakord që “Bankers” të kalonte te “Delek Group”. Skema parashikonte një fazë të ndërmjetme, ku kompania kineze “Geo-Jade Petroleum Corporation” do të shfaqej si blerëse formale, ndërsa grupi izraelit do të merrte kontrollin faktik pas tetë vitesh.

Synimi i kësaj skeme ishte që “Delek”, krahas zonës së naftës dhe gazit në Dumre, të merrte edhe fushën e Patos-Marinzës që shfrytëzon “Bankers”. Në këtë mënyrë, grupi izraelit do të krijonte një zonë të madhe koncesionare me afat 30-vjeçar.

Kinezët, sipas të njëjtave burime, nuk e respektuan marrëveshjen dhe refuzuan ta dorëzonin koncesionin në vitin 2024. Pikërisht atëherë, Tatimet, të cilat nuk kishin ndërhyrë gjatë viteve kur kompania dyshohet se shmangu miliarda euro detyrime nga nafta, morën urdhër të kallëzonin drejtuesit e “Bankers”.

Gjykata i liroi drejtuesit e kompanisë, ndërsa hetimi penal ra në heshtje. Kompania kineze vazhdon të nxjerrë dhe të shesë naftë, pa paguar, sipas denoncimit, detyrimet fiskale dhe pjesën e fitimit që i takon shtetit shqiptar.

Kjo situatë pritet të vazhdojë deri në momentin kur koncesioni do t’i kthehet Ministrisë së Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Më pas, këto institucione pritet t’ia kalojnë grupit izraelit për 30 vjet.

Afati 25-vjeçar i koncesionit të “Bankers” përfundon në korrik 2029. Sipas informacioneve të “Pamfletit”, kompania kineze do ta dorëzojë atë në qershor 2027. Në këmbim, Edi Rama dyshohet se u ka garantuar drejtuesve të saj mbylljen e çështjes penale dhe heqjen e detyrimeve financiare ndaj shtetit.

“Delek Group”, ku Yitzhak Tshuva kontrollon 50.4 për qind të aksioneve, nuk kufizohet vetëm te nafta dhe gazi. Grupi ka interesa edhe në sektorin e pagesave elektronike përmes lidhjeve me “Isracard”. Fijet e këtij aktiviteti lidhen, sipas informacioneve, me “Jet Bank”, një kompani e parasë elektronike në Shqipëri, me pronar izraelitin Idan Avishai.

Përveç koncesionit të “Bankers”, “Delek Group” po zhvillon bisedime me qeverinë shqiptare, përmes Ministrisë së Bujqësisë, për një paketë investimesh në rreth 30 mijë hektarë tokë bujqësore shtetërore. Projekti parashikon një kontratë 99-vjeçare në disa zona që qeveria i konsideron prioritare.

Paketa përfshin ferma bujqësore në natyrë dhe në sera, kontroll të përqendruar mbi eksportin e produkteve bujqësore, impiante fotovoltaike, qyteza të reja dhe struktura agroturistike.

Nëse kjo skemë konkretizohet, grupi izraelit nuk do të marrë vetëm koncesionin më të madh të naftës në Shqipëri. Ai do të shtrihet njëkohësisht në energji, pagesa elektronike, bujqësi, eksport, fotovoltaikë dhe agroturizëm, mbi pasuri publike që qeveria shqiptare synon t’ia japë për disa dekada./Pamfleti