Ballina Kuriozitete ​Grerëza orientale shihet në qendër të Splitit pas 50 vjetësh

​Grerëza orientale shihet në qendër të Splitit pas 50 vjetësh

31
0

Grerëza orientale Vespa orientalis është përsëri e pranishme në Dalmaci, nga ku u zhduk në rrethana të paqarta në vitet 1970.

Në qendër të Splitit u fotografua një grerëz orientale, kthimi i së cilës dhe mbërritja e specieve të tjera të reja të insekteve, shoqërohet me ndryshimet klimatike dhe motin gjithnjë e më të ngrohtë. Studiuesi Toni Koren kapi një ekzemplar në një gurore pranë Kashtela të Kroacisë në korrik 2025.

“Unë jam anëtar i grupeve të ndryshme në rrjetet sociale dhe në një grup slloven dikush postoi një fotografi të një grerëze orientale. Mendova se do të ishte mirë ta gjeja në Kroaci, ku nuk është parë për 50 vjet. Hulumtimi im më çoi në atë gurore,” tha Koren.

Shpresa e tij u bë realitet. “I thashë vetes se duhej të isha i kujdesshëm dhe se ndoshta, me fat të çmendur, do ta gjeja. Sapo dola nga vetura, pashë një grerëz dhe e kapa menjëherë. U shokova kur pashë se grerëza orientale ishte në rrjetë. E njoha thjesht, krahasuar me grerëzën tonë shtëpiake, është shumë më tërheqëse dhe shumëngjyrëshe”, shpjegoi ai.

Grerëzat orientale, sipas tij, nuk janë agresive dhe sulmojnë vetëm kur ndihen të kërcënuara.

“Ato pickojnë vetëm kur i mban në dorë, i shtrydh më fort, ulesh mbi to ose mbështetesh mbi to. Një koleg i hyri së fundmi nga këmba e pantallonave dhe e pickoi. Për fat të mirë, ajo nuk pati një reaksion të rëndë”, tha ai.

Zbulimi i korrikut 2025 ishte i pari i konfirmuar në pothuajse 50 vjet, dhe tani ky insekt i rrallë është parë në qendër të Splitit.