Policia e Vlorës ka arrestuar 34-vjeçarin Mario Meçanaj, pasi dyshohet se ka tentuar të përdorë armë zjarri gjatë një konflikti me një 41-vjeçar në zonën e Ujit të Ftohtë.
Efektivët ndërhynë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Në momentin e ndërhyrjes, 34-vjeçari tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u neutralizua nga policia.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se gjatë konfliktit Meçanaj ka tentuar të përdorë një pistoletë, të cilën më pas e ka hedhur në rërë, në vendin ku u kap nga efektivët. Arma e zjarrit u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Yacht”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.







