Çdo vit, rreth muajve tetor dhe nëntor, hindutë në mbarë botën festojnë Diwali-n, ose Deepavalin, festën e dritave që ka një histori më shumë se 2500-vjeçare. Në vitin 2026, festimet zgjasin nga e premtja, 6 nëntor, deri të martën, 10 nëntor, ndërsa dita kryesore e festës është e diela, 8 nëntor. Në Indi, Diwali konsiderohet tradicionalisht festa më e madhe e vitit.
Ashtu si shumë festa të tjera hindu, edhe Diwali ka disa arsye dhe histori që lidhen me kremtimin e saj pesëditor. Pankaj Jain, profesor i filozofisë dhe studimeve fetare, si dhe drejtor i Qendrës së Indisë në Universitetin FLAME, shpjegon se kjo festë e lashtë lidhet me disa rrëfime në tekstet fetare. Është e pamundur të përcaktohet se cili prej tyre lindi i pari dhe sa kohë më parë filloi të festohej Diwali.
Shumë prej këtyre rrëfimeve tregojnë fitoren e së mirës mbi të keqen. Në Indinë veriore, një nga historitë më të njohura që lidhen me Diwalin është ajo e mbretit Rama, një nga mishërimet e perëndisë Vishnu. Kur një mbret i lig në Lanka, që disa e lidhin me Sri Lankën e sotme, rrëmben bashkëshorten e Ramës, Sitën, ai “mbledh një ushtri majmunësh” për ta shpëtuar, shpjegon Jain.

Majmunët “ndërtojnë një urë nga India drejt Sri Lankës, pushtojnë ishullin, çlirojnë Sitën dhe vrasin mbretin e lig”, tregon ai. Kur Rama dhe Sita kthehen në veri, “miliona drita ndriçojnë qytetin e Ajodhjës për t’i ndihmuar të kthehen në shtëpi dhe për t’i pritur”. Ndezja e llambave ka qenë prej kohësh një nga mënyrat tradicionale me të cilat hindutë festojnë Diwali-n.
Në jug të Indisë, Diwali lidhet kryesisht me një histori për perëndinë hindu Krishna, një tjetër mishërim i Vishnusë. Sipas këtij rrëfimi, Krishna çliron rreth 16.000 gra nga një mbret tjetër i lig.
Në shtetin perëndimor të Guxharatit, Viti i Ri përkon me Diwali-n (në Indi festohen disa festa të Vitit të Ri). Këtu, festa lidhet edhe me lutjet drejtuar perëndeshës Lakshmi, së cilës i kërkohet begati dhe mirëqenie për vitin që vjen. Gjatë festimeve, njerëzit shkëmbejnë dhurata dhe monedha.
Edhe besime të tjera, si budizmi, xhainizmi dhe sikizmi, e shënojnë Diwali-n për të përkujtuar ngjarje të rëndësishme nga historia e tyre. Profesori Jain shpjegon se, ndonëse Diwali është një festë fetare, në Indi ajo ka marrë edhe karakterin e një feste kombëtare. Ai e krahason me Krishtlindjet në Shtetet e Bashkuara, ku edhe shumë njerëz që nuk janë të krishterë blejnë pemë Krishtlindjesh dhe shkëmbejnë dhurata.
Vasudha Narayanan, profesore e studimeve fetare në Universitetin e Floridës, thekson se jo të gjithë banorët e Indisë e festojnë Diwalin. Megjithatë, rreth 80 për qind e popullsisë së vendit është hindu, ndërsa budistët, xhainistët dhe sikët përbëjnë edhe 2-3 për qind të tjera. Për këtë arsye, festa kremtohet nga shumica e popullsisë.
Narayanan shpjegon se gjatë shekullit të fundit fishekzjarrët janë bërë një pjesë e rëndësishme e festimeve të Diwalit. Bëhet fjalë për fishekzjarrë që nuk kanë përmasa dhe organizim si ato që qytetet amerikane ndezin më 4 korrik, në Ditën e Pavarësisë. Gjatë Diwali-t, çdo familje ndez fishekzjarrët e saj, një praktikë që, siç pranon ajo, ndiqet edhe në disa zona të Shteteve të Bashkuara.
“Natën para Diwali-t pothuajse nuk flije fare”, kujton Narayanan, duke folur për fishekzjarrët. “Zhurma ishte vërtet aq e madhe.”

Në vitin 2020, disa shtete indiane ndaluan përdorimin dhe shitjen e fishekzjarrëve para festimeve, për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19 dhe përkeqësimit të ndotjes së ajrit. Sipas Narayanan, ky vendim shkaktoi pakënaqësi te shumë njerëz që festonin Diwali-n. Shumë prej tyre u ankuan se një Diwali pa fishekzjarrë është si Krishtlindjet pa pemën e Krishtlindjeve.
Narayanan e kupton dëshirën e njerëzve për të ruajtur traditat, por njëkohësisht pranon se shqetësimi i qeverisë është i drejtë.
“Hinduizmi gjithashtu na mëson të bëjmë mirë për të tjerët dhe të mos përdorim dhunë”, thotë ajo. Prandaj, sipas saj, traditat duhen rishikuar kur ato “dëmtojnë shëndetin e njerëzve të tjerë”.







