Ballina Politika Reforma Territoriale hyn në fazën e dytë, opozita bojkoton komisionin

Reforma Territoriale hyn në fazën e dytë, opozita bojkoton komisionin

60
0

Ka nisur sot punën Komisioni i Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, në një kohë kur opozita ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në këtë proces. Komisioni u konstituua këtë të hënë, ndërsa drejtimi i tij i është besuar sërish deputetit socialist Arbjan Mazniku.

Në mbledhjen e parë, Mazniku njoftoi konstituimin e komisionit dhe theksoi se synimi është për zhvillimin e një procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës. Për këtë arsye, ai i bëri një ftesë të hapur opozitës që të prezantojë anëtarët e saj në Kuvend dhe të përfshihet në punimet për fazën e dytë të reformës.

“Opozita të prezantojë në seancë anëtarët e saj. Kjo është një ftesë e hapur për frymën se si ky komision synon të vijojë punën, në mënyrë të hapur e gjithëpërfshirëse. Kjo detyrë e komisionit është tejet kritike, pasi i jep thelb dhe përmbajtje punës që bëmë në fazën e parë të komisionit, pasi reforma do të quhej e paplotë pa u plotësuar me elementët e tjerë”, tha Mazniku.

Në përbërje të komisionit, nga mazhoranca socialiste, janë Blendi Klosi, Briseida Çakërri, Besa Spaho, Ermal Pacaj, Onid Bejleri, Aulona Bylykbashi, Klevis Jahaj dhe Ermal Elezi.

Reforma Administrativo-Territoriale prek organizimin e pushtetit vendor dhe ndarjen administrative të vendit. Faza e dytë synon të vijojë punën e nisur në fazën e parë, të cilën edhe vetë Mazniku e cilësoi të paplotë pa përfshirjen e elementëve të tjerë të reformës.