Në teatrin e madh të digjitalizimit ku çdo inovacion shoqërohet me daulle dhe fjalime madhështore për “administratën e vënë me shpatulla pas murit”, realiteti shpesh zgjohet para një pasqyre… që nuk ka pasur as kornizë ligjore.
Më 1 Nëntor 2026, Kryeministri Edi Rama prezantoi me pompozitet platformën më të re kombëtare “Pasqyra Albania”, e cila u lajmërua si dritarja e artë ku qytetarët do të gjurmonin ankesat, projektet publike dhe do të shihnin se ku “ngec burokracia”.
Një ide e bukur në letër si përgjigje për protestat, e cila u shit si produkt i gatshëm i epokës digjitale.
Por çfarë fshihet pas fasadës së këtij spektakli teknologjik? Dokumentet zyrtare tregojnë një histori krejtësisht ndryshe – një skenar klasik të tyret: vënia e qerreve para kaut.
VNA ka siguruar projektligjin i cili ndryshon ligjin e AKSHI-t dhe që është hartuar vetëm sot.

Nëse shohim draft-relacionin e projektligjit për qeverisjen elektronike që qeveria po përgatit për miratim, bie në sy një detaj thumbues që rrëzon gjithë narrativën e “sistemit funksional”.
Vetë qeveria pranon se ky projektligj nuk ishte parashikuar fare në Programin Analitik të Akteve për vitin 2026, por ka për qëllim të krijojë bazën ligjore për platformën “Pasqyrë Albania”.
Si të mos mjaftonte lançimi me bujë i një platforme “pa certifikatë lindjeje ligjore”, nisma ligjore është hedhur për konsultim publik vetëm sot, javë pasi kryeministri preki butonin e prezantimit.
Me fjalë të tjera, Mbreti doli lakuriq në skenë: qeveria lançoi dhe i bëri jehonë një platforme kombëtare për mbledhjen, përpunimin dhe ekspozimin e të dhënave, ndërkohë që korniza ligjore vetëm sot po i nënshtrohet syrit të publikut dhe grupeve të interesit.
Në relacionin e projektligjit, thuhet:
“Projektligji i jep platformës ‘Pasqyra Albania’ njohje ligjore në ligjin për qeverisjen elektronike, në të njëjtën frymë me portalin ‘e-Albania’, dhe e përkufizon atë si platformën kombëtare për transparencën dhe komunikimin me qytetarët. Platforma ndërvepron me sistemet qeveritare, nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit, si dhe me sisteme dhe platforma të tjera elektronike të autoriteteve publike.”/vna







