Një lëvizje e fortë ka ndodhur në një nga drejtoritë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Maksim Et’hemaj ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i Drejtorit Ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil, institucion të cilin e drejtonte që prej fundit të vitit 2021.
Et’hemaj njihet publikisht si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe njerëzit më të besuar të ish-zëvendëskryeministres dhe ish-Ministres Belinda Balluku, duke u konsideruar shpesh në rrethet mediatike si njeriu kyç për “mbarimin e punëve” në sektorin e aviacionit. Largimi i tij vjen në një moment mjaft delikat, kur emri i tij dhe i ish-ministres janë përmendur në disa prej dosjeve më të nxehta që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme.
Në letrën e tij të largimit drejtuar kolegëve, të cilën e ka siguruar redaksia jonë, Et’hemaj ka evituar prapaskenat politike duke u fokusuar te “përmbyllja e kapitullit” dhe bilanci i punës së tij.
Në mesazhin e tij, ish-drejtori sqaron se po e mbyll këtë rrugëtim për të marrë një angazhim të ri, por gjithmonë brenda fushës së aviacionit:
“Pas gati pesë vitesh në drejtimin e Autoritetit të Aviacionit Civil, kam marrë vendimin për të përmbyllur këtë kapitull të rëndësishëm të karrierës sime profesionale dhe për të nisur në etapë të vijuar angazhimin tim në aviacion nga një tjetër perspektivë.”
Et’hemaj pranon se jo çdo gjë ka qenë e lehtë gjatë këtyre viteve dhe se reformat kanë sjellë vështirësi për stafin:
Jo çdo ndryshim ka qenë i lehtë dhe jo çdo gjë është kapërcyer pa vështirësi. Por ajo që ka bërë diferencën ka qenë vullneti për të ecur përpara dhe bindja se mund të bëhemi gjithmonë më të mirë.”
Në mbyllje të letrës, ai lë një porosi për stafin që të vijojë punën edhe pas largimit të tij, duke nënkuptuar se institucioni duhet të jetë rezistent ndaj ndryshimeve të emrave në krye:
“Besoj se sot AAC është një institucion më i fortë, më i besueshëm dhe më i përgatitur për të ardhmen. Por transformimi institucional nuk përfundon me largimin e një drejtuesi. Ai vazhdon përmes njerëzve që e mbajnë gjallë institucionin çdo dite.”
Pavarësisht gjuhës teknike dhe bilanceve me të cilat mbylli letrën Et’hemaj, largimi i tij vjen pas një vale të gjatë skandalesh dhe denoncimesh ku ai ishte protagonist kryesor krahas Belinda Ballukut.
Në shtator të vitit 2026, emisioni investigativ Fiks Fare publikoi një audio-përgjim tronditës që vërtetonte pushtetin de-facto të Ballukut mbi emërimet në AAC, edhe pas dorëheqjes si ministre e Infrastrukturës. Në këtë përgjim, Maksim Et’hemaj deklaronte hapur para një gazetareje të infiltruar se urdhrat e ish-ministres ishin ligj: “Nëse Bela thotë që do ta heq, për mua është thjesht një emër”. Ky përgjim ekspozoi faktin se institucioni i pavarur i aviacionit kontrollohej plotësisht nga vullneti politik i “Belës”.
Në qershor të vitit 2026, ndaj Belinda Ballukut dhe Maksim Et’hemajt u depozitua një kallëzim penal në SPAK për abuzim me detyrën dhe korrupsion. Sipas denoncimit dhe investigimeve mediatike, familjarët e Et’hemajt përfituan licenca dhe tendera milionerë për parqe fotovoltaike direkt me firmën e Ballukut. Kompania “Green Plus Energy” ishte themeluar në emër të motrës së Et’hemajt (e cila punonte jashtë vendit si shefe kuzhine) dhe pa pasur asnjë m² tokë në pronësi, fitoi kontratën e majme shtetërore e cila më pas kaloi nën pronësinë e kompanisë 4 AM.
Gjatë hetimeve të SPAK për skandalet e tenderave në Ministrinë e Infrastrukturës (si ai i Tunelit të Llogarasë), hetuesit zbuluan një grup të koduar komunikimi ku bënin pjesë Belinda Balluku, Maksim Et’hemaj dhe zyrtarë të tjerë të rrethit të saj të ngushtë (Viola Haxhiademi, Matilda Kërçaku dhe Alketa Pano). Ajo që ngriti alarmin tek hetuesit ishte se të gjithë anëtarët e këtij grupi kishin marrë në dorëzim vila luksoze në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi në qershor 2019, çka dyshohet se janë përfituar si ryshfete nga aferat korruptive.
Largimi i Et’hemajt vjen gjithashtu në një kohë kur Kryeministri Edi Rama ka rritur presionin ndaj ministrave për të larguar nga detyra çdo drejtues institucioni të përfolur për abuzime apo nën hetim. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ende nuk ka njoftuar zyrtarisht emrin e pasardhësit që do të marrë frenat e aviacionit civil shqiptar.
Letra e plotë e dorëheqjes:
Një falënderim i sinqertë për rrugëtimin tonë të përbashkët
Të dashura kolege dhe të dashur kolegë,
Pas gati pesë vitesh në drejtimin e Autoritetit të Aviacionit Civil, kam marrë vendimin për të përmbyllur këtë kapitull të rëndësishëm të karrierës sime profesionale dhe për të nisur një etapë të vijuar angazhimin tim në aviacion nga një tjetër perspektivë.
Përpara se ta mbyll këtë rrugëtim, dëshiroj t’ju drejtohem jo thjesht si Drejtor Ekzekutiv, por si një koleg që ka pasur privilegjin të punojë, të përballet me sfida dhe të ndajë suksese me ju.
Kur nisëm këtë rrugëtim në fund të vitit 2021, përpara nesh qëndronin sfida të mëdha. Kishim nevojë të forconim institucionin, të rikthenim besueshmërinë, të përmirësonim standardet dhe të ndërtonim kapacitete të reja, në një kohë kur aviacioni civil shqiptar po zhvillohej me ritme të jashtëzakonshme.
Sot, kur shohim rrugën që kemi përshkuar, kemi shumë arsye për të qenë krenarë. Nga rritja e nivelit të Implementimit Efektiv të standardeve të ICAO-s nga 46% në 89%, te forcimi i reputacionit ndërkombëtar të AAC-së; nga përballimi i rritjes së jashtëzakonshme të trafikut ajror, te modernizimi i proceseve dhe ndërtimi i një vizioni strategjik afatgjatë.
Por për mua, arritja më e rëndësishme nuk janë vetëm këto rezultate. Është ajo që kemi ndërtuar së bashku si institucion dhe si ekip.
Gjatë këtyre viteve kam pasur mundësinë të njoh dhe të vlerësoj nga afër profesionalizmin tuaj, integritetin, ndjenjën e përgjegjësisë, përkushtimin dhe gatishmërinë për të përballuar sfida që kanë kërkuar shumë më tepër sesa detyrimet e përditshme të punës.
Ju keni dëshmuar se forca e një institucioni nuk qëndron vetëm te struktura, procedurat apo sistemet e tij, por mbi të gjitha te njerëzit, te njohuritë dhe kompetencat e tyre, te vlerat që përfaqësojnë dhe te mënyra se si punojnë së bashku.
Jam veçanërisht krenar për gatishmërinë tuaj për të mësuar, për t’u zhvilluar profesionalisht, për të pranuar ndryshimin dhe për të marrë përgjegjësi. Jo çdo ndryshim ka qenë i lehtë dhe jo çdo sfidë ka qenë pa vështirësi. Por ajo që ka bërë diferencën ka qenë vullneti për të ecur përpara dhe bindja se mund të bëhemi gjithmonë më të mirë.
Nëse ka diçka që dëshiroj të mbetet nga këto vite, është kultura e profesionalizmit, integritetit, bashkëpunimit dhe përgjegjshmërisë që kemi synuar të ndërtojmë së bashku.
Besoj se sot AAC është një institucion më i fortë, më i besueshëm dhe më i përgatitur për të ardhmen. Por transformimi institucional nuk përfundon me largimin e një drejtuesi. Ai vazhdon përmes njerëzve që e mbajnë gjallë institucionin çdo ditë.
Për këtë arsye, dëshira ime është që të vazhdoni të besoni te aftësitë tuaja, të investoni në zhvillimin profesional, të mbështesni njëri-tjetrin dhe të mos kënaqeni vetëm me përmbushjen e standardeve, por të synoni vazhdimisht përmirësimin e tyre.
Sfida e ardhshme do të jetë ruajtja dhe zhvillimi i rezultateve që kemi arritur, duke ndërtuar një AAC dhe një sistem aviacioni civil gjithnjë e më të qëndrueshëm, rezistent dhe të aftë të përballojë sfidat e ardhshme. Jam i bindur se ju keni profesionalizmin, përvojën dhe potencialin për ta realizuar këtë.
Dëshiroj gjithashtu t’ju falënderoj për besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen që më keni dhënë gjatë këtyre viteve. Faleminderit për përkushtimin tuaj, për mendimet dhe idetë që kemi ndarë, diskutimet e hapura, për sfidat që kemi përballuar dhe për rezultatet që kemi arritur.
Nëse gjatë këtij rrugëtimi kam kërkuar shumë prej jush, kjo ka ardhur nga bindja ime se keni aftësinë dhe potencialin për të arritur shumë. Dhe rezultatet e kanë dëshmuar këtë.







