Ballina Sport Ferrari bëhet copë-copë, portieri i Comos i shpëton mrekullisht vdekjes

Ferrari bëhet copë-copë, portieri i Comos i shpëton mrekullisht vdekjes

31
0

Portieri i Comos, Robert Sanchez, i ka shpëtuar një aksidenti të frikshëm në pistën legjendare të Nürburgringut në Gjermani. Gardiani spanjoll, 28 vjeç, humbi kontrollin e makinës së tij Ferrari 488 Challenge Evo gjatë një xhiroje në pistë dhe u përplas fuqishëm me barrierat mbrojtëse.

Ngjarja ndodhi të hënën, më 9 nëntor, në kthesën e njohur si Caracciola-Karussell. Sipas dëshmitarëve të cituar nga mediat angleze, Sanchez po lëvizte me një shpejtësi prej rreth 112 km/h dhe dyshohet se hyri shumë shpejt në kthesë, duke humbur kontrollin e automjetit.

Përplasja ishte tepër e fortë, ndërsa pjesa e përparme e Ferrarit, me vlerë rreth 300 mijë paund, u shkatërrua pothuajse plotësisht. Copëzat e makinës u shpërndanë në pistë, duke detyruar organizatorët të ndërprisnin përkohësisht aktivitetin me flamurin e kuq.

Pavarësisht dëmeve të mëdha materiale, portieri spanjoll arriti të dilte nga makina pa pësuar lëndime. Sipas dëshmitarëve, ai madje ndihmoi në mbledhjen e pjesëve të shpërndara të automjetit pas aksidentit.

Sanchez është pjesë e Comos, ku aktivizohet në huazim nga Chelsea. Kështu, një xhiro në pistën e famshme gjermane përfundoi me një dëmtim të kushtueshëm të makinës, por fatmirësisht pa pasoja për jetën e futbollistit.