Veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë stabilitetin rajonal dhe lirinë e lundrimit, paralajmëruan ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s në një deklaratë të përbashkët të publikuar të mërkurën vonë, pas një takimi në Paris.
Pekini zyrtar e ka hedhur poshtë reagimin, duke e cilësuar atë si ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës, ndërsa Tajvani e mirëpriti mbështetjen ndërkombëtare.
Kina, e cila e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj, ka shtuar aktivitetet në brigjet lindore të ishullit që nga muaji qershor, përmes patrullimeve të rregullta të rojës bregdetare. Zyrtarët në Tajvan, i cili i kundërshton pretendimet sovrane të Pekinit, thonë se besojnë që Kina po përgatitet për një bllokadë të mundshme detare, duke përdorur njëkohësisht mjete ushtarake, paramilitare dhe civile.
SHBA-ja, Britania, Franca dhe Gjermania kanë shprehur më parë shqetësimin për veprimet e Kinës në brigjet lindore të Tajvanit, por deklarata e G7-s përbën reagimin më të fuqishëm të përbashkët deri më tani ndaj këtyre aktiviteteve.
Aktivitetet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit “kërcënojnë stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.
“Ne rikonfirmuam kundërshtimin tonë ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në, veçanërisht përmes forcës ose detyrimit, apo kërcënimit për përdorimin e tyre”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë të enjten se deklarata “shpërfill faktet objektive, ndërhyn në mënyrë të vrazhdë në punët e brendshme të Kinës dhe shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit”.
Deklarata “dëshmon edhe një herë se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë dhe angazhohet në politikën e blloqeve”, ka thënë zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Mao Ning.
Kina nuk njeh asnjë pretendim të Tajvanit për sovranitet të pavarur. Të enjten, presidenti kinez Xi Jinping ka bërë thirrje për “ribashkimin” e plotë të Tajvanit me atdheun dhe u zotua se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore.
Ndërkohë Zyra presidenciale e Tajvanit e ka mirëpritur deklaratën e G7-s, duke thënë se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë çështje thelbësore për sigurinë dhe prosperitetin global.







