Pas jehonës së rezultateve të futbollit, një tjetër sukses kuqezi vjen nga pistat e akullta të Levit. Lara Colturi siguron podiumin e dytë radhazi dhe ngjitet në krye të klasifikimit të përgjithshëm të Kupës së Botës, me pikë të barabarta me Emma Aicher
Finlanda po kthehet në një vend me kujtime të veçanta për sportin shqiptar. Pas emocioneve të futbollit, këtë herë është Lara Colturi ajo që ka bërë krenarë tifozët kuqezi, duke regjistruar një tjetër rezultat fantastik në Kupën e Botës në ski alpine.
Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë ka përfunduar në vendin e dytë në garën e slalomit të zhvilluar në Levi të Finlandës, duke konfirmuar formën e jashtëzakonshme që po kalon në nisje të sezonit të ri. Ky është podiumi i dytë radhazi për 19-vjeçaren, pas vendit të dytë të siguruar tri javë më parë në Sölden të Austrisë.
Colturi zhvilloi një garë shumë të mirë në të dyja zbritjet, duke e mbyllur konkurrimin me kohën totale 1 minutë, 53 sekonda e 5 të qindtat. Përpara saj u rendit vetëm gjermania Emma Aicher, me kohën 1:52.62, ndërsa podiumi u plotësua nga austriakja Katharina Truppe.
Një nisje fantastike sezoni për Larën, e cila po dëshmon se mund të rivalizojë me emrat më të mëdhenj të këtij sporti dhe se objektivi për të luftuar për fitoren në Kupën e Botës nuk është më një ëndërr e largët.







