Ballina Europë 219 të arrestuar gjatë protestave në Francë, plagosen 10 policë

219 të arrestuar gjatë protestave në Francë, plagosen 10 policë

30
0

Të paktën 219 persona janë arrestuar në të gjithë Francën gjatë protestave të zhvilluara sot, ndërsa 10 efektivë të policisë kanë mbetur të plagosur lehtë.

Lajmi bëhet i ditur nga gazeta franceze “Le Figaro”, duke iu referuar raportit të fundit të Ministrisë së Brendshme franceze.

Sipas autoriteteve, situata në shkallë kombëtare ka mbetur përgjithësisht nën kontroll, pavarësisht incidenteve të regjistruara në disa qytete, përfshirë Marsejën, Grenoblin, Lionin, Bordonë, Poitiers, Montpellier, Tuluzën, Tours, Saint-Étienne, Angers, Nancy, Lilën dhe Rouenin.

Ministria e Brendshme raportoi se ndaj forcave të rendit janë hedhur bomba mortajash, ndërsa janë dëmtuar pajisje të hapësirave publike dhe bizneseve. Gjithashtu, disa kosha mbeturinash janë përfshirë nga flakët.

Autoritetet franceze ia atribuuan incidentet grupeve me rrezikshmëri të lartë, të përbëra nga aktivistë radikalë dhe të ekstremit të majtë, të cilët, sipas tyre, kanë tentuar të nxisin dhunën gjatë manifestimeve.

Ministria theksoi se forcat e rendit kanë ndërhyrë në mënyrë sistematike për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Në raportin e saj, Ministria e Brendshme shprehu gjithashtu shqetësim për sulmin e dhunshëm ndaj gazetarëve në Lion.