Modelja dhe aktorja amerikane Kathy Ireland ka treguar për një ngjarje të frikshme që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi për bashkëshortin e saj, Greg Olsen.
Motori i varkës së tij të peshkimit, e quajtur “4th Watch”, shpërtheu më 10 nëntor, duke shkaktuar një zjarr të madh që përfshiu të gjithë mjetin lundrues.
Në momentin e incidentit, Olsen ndodhej i vetëm në det, rreth 20 milje detare në perëndim të portit të Santa Barbarës, në Kaliforni. Zjarri shkatërroi pajisjet e navigimit dhe mjetet e shpëtimit, duke e detyruar atë të braktiste varkën dhe të hipte në një kajak.
Ai u shpëtua nga ekuipazhi i një anijeje që ndodhej në afërsi, ndërsa fatmirësisht nuk pësoi lëndime.
Ireland, e cila në atë kohë ndodhej jashtë për angazhime pune dhe për të vizituar nipërit e mbesat, publikoi pamje të varkës së përfshirë nga flakët dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që ndihmuan në shpëtimin e bashkëshortit të saj.
Ajo ndau gjithashtu një mesazh emocional për Olsen, duke thënë se zemra i ishte njëkohësisht e rënduar nga humbja e varkës dhe e mbushur me mirënjohje që ai kishte shpëtuar. Çifti është i martuar që nga viti 1988 dhe ka tre fëmijë.







